Ekzekutimi i dy të rinjve shqiptarë nga ana e policit maqedonas, nuk është spontan e as i rastësishëm, por rrjedhojë e luftës speciale - propagandës dhe shpifjeve antishqiptare - që vazhdon të kultivohet në qeveri, në institucionet dhe akademinë maqedonase. Krimi i dytë më i rëndë (pas vrasjes në Gostivar), vjen nga tendencat e qeverisë për shtrembërimin e aktit mizor, deri në fshehjen e krimit.

Krimi në Gostivar na kujton ngjarjen e kobshme të 21 marsit të vitit 2001, kur policia maqedonase kishte ekzekutuar me gjakftohtësi babë e bir, Ramadan dhe Razim Koraçin, në qytetin e Tetovës. Krimin e vitit 2001 e kishte organizuar shteti, me qëllim të ndjelljes së frikës ndër shqiptarë.


Ky rast mbeti përjetësisht i pandëshkuar dhe i pandriçuar. Ndërsa, ngjarja e tmerrshme e asaj kohe e kishte quar Maqedoninë në luftë të hapur ndëretnike.

Marrëveshja e Ohrit i dha fund luftës, por shteti maqedonas sot e kësaj dite u mbeti borxh shqiptarëve, duke mohuar shumë pika të marrëveshjes që kanë të bëjnë me principet e funksionimit të shtetësisë dyetnike.

Ndaj, përmes krimit të fundit në Gostivar, qeveria maqedonase e tregoi edhe njëherë fytyrën e vërtetë të saj, e cila “rehatinë” e brendshme mëton ta ndërtojë duke ushqyer dhe demonstruar urrejtje patologjike kundër shqiptarëve.

Menjëherë pas vrasjes së të rinjve shqiptarë, pushteti maqedonas fillon shantazhet dhe shtrembërimet për ngjarjen, duke i dhënë motive spontane, deri tek “akti i vetëmbrojtjes”.

Zyrtarët e qeverisë së Maqedonisë, e “vlerësojnë” rastin ende pa bërë asnjë ekspertizë të nevojshme nga ekspertët, japin deklarata të pavërteta politike, të cilat më tepër ngjajnë si kurdisje e rastit se sa përkufizim real i ngjarjes tronditëse.

Tingëllon tejet irrituese deklarata e zëvendësministrit të MPB-së së Maqedonisë, Ivo Kotevski, i cili vlerëson se polici “ka shtënë me armë, së pari në ajër e më pas e përdori atë për tu vetëmbrojtur’.

“Vetëmbrojtje” nga kush? Nga njerëzit e paarmatosur?!

Po sipas tij, dy të rinjtë shqiptarë të paarmatosur, e paskan “sulmuar” policin e armatosur maqedonas!

I njëjtë është edhe vlerësimi tjetër i sindikatës policore maqedonase, që thotë se “provokimi, kërcënimi, frikësimi etj., janë arsyet e mundshme për incidentin” dhe se kjo ngjarje “duhet të na mësojë se ka kufij në çdo provokim’.

Nuk e di nëse i kujtohet qeveritarëve maqedonas, se edhe durimi qytetar e ka fundin e vet. Këtë duhet marrë parasysh pushtetmbajtësit në Maqedoni, para se të jetë vonë.

Kjo na kujton ngjarjen tronditëse të vitit 2001, ku po kjo MPB kishte “hetuar” armët e “sulmuesve” (babë e bir), për t’i ekzekutuar krejt barbarisht. Por, ata dolën të paarmatosur, ndërsa të vetmet mjete në posedim të tyre ishin telefonat mobil.

Duket tejet neveritëse, kur vetëm një ditë pas vrasjes së dy shqiptarëve në Gostivar, pikërisht në sheshin kryesor të Shkupit tifozët maqedonas brohorasin parulla antishqiptare: “Shqiptarë të vdekur” dhe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”.

Parulla të tilla na kujtojnë fushatat ultranacionaliste serbe, në kohën e terrorit serb në Kosovë. Kjo na jep shembullin më të mirë se në Maqedoni urrejtja kundër shqiptarëve është “virtyt” me të cilin ushqehet një komb pa identitet, të cilët me një shtrëngim të vogël dalin serbë, bullgarë por edhe grekë.

Ekzekutimi i të rinjve shqiptarë në Gostivar nga policia, tendencat e shtetit maqedonas për fshehjen ose shtrembërimin e aktit qyqar, deri tek thirrjet për vrasjen e shqiptarëve, janë referencat të cilat pasqyrojnë realitetin faktik në Maqedoni.

Qeveria e Maqedonisë e ka sjellë dhunën. Përpos mediave të pavarura, edhe ish-kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe eksperte për të drejtat e njeriut, Mirjana Najçveska, thekson se kjo qeverisje (pushteti maqedonas) ka sjellë dhunën e fundit.

Në anën tjetër, mungesa e unitetit politik të shqiptarëve në Maqedoni, ka shkuar deri në inferioritet në raport me palën maqedonase. Edhe vlerësimi i publicistit Kim Mehmetit, se shpërfillja e vullnetit politik shqiptar vjen si rezultat e përçarjeve të spektrit tonë politik, e tregon një të vërtetë të madhe që e ka mbërthyer herë njërin e herë tjetrin spektër politik shqiptar në Maqedoni.

Faktorizmi i popullit shqiptar në Maqedoni mund të rritet në bazë të unitetit politik, që është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm, për të arritur synimet për më shumë prosperitet dhe mirëqenie kombëtare.

Rol jetik në këtë drejtim mund të luajnë Shqipëria dhe Kosova, mbi të cilat ka rënë përgjegjësia për gjithë çështjen shqiptare në Ballkan.

(Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).