Për krimet e Ushtrisë serbe dhe malazeze, me rastin e pushtimi të tokave shqiptare ne vitet 1912-13, njoftonin gazetat evropiane e amerikane dhe shtypi opozitar serb. Për të hetuar krimet, Shoqata Karnegi për Paqe e formoi një komision të posaçëm të cilin e dërgoi më 1913 në Ballkan. Komisioni, pasi arritjes në vend, duhej të bënte një rezyme për situatën e krijuar në vendbanimet shqiptare, për të konstatuar gjendjen reale. Ky komision në raportin e tij kishte konstatua se:

Shtëpitë dhe fshatrat shqiptare janë shndërruar në hi. Popullata e paarmatosur është masakruar në mënyrë masive. Ushtria pushtuese serbe së pari ka plaçkitur çdo gjë të gjallë të shqiptarëve, duke u vërsulur mbi popullatën me egërsi të paparë. Gjithë këtë dhunë dhe shfarosje të popullatës shqiptare ushtria serbe po përdorë krejt me qëllim të spastrimit etnik te atyre territoreve ku shqiptaret bëjnë shumicën e popullatës (Raport i komisionit ndërkombëtar mbi luftërat ballkanike}.

Numri i të vrarëve në Vilajetin e Kosovës, nën kontrollin serb, për disa muaj vlerësohet se arrinte në 25 mijë.

Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë gjatë vitit 1912-13, në të gjitha trevat shqiptare që kontrollohen nga serbët, arrinte në 120 mijë të të gjitha moshave, shkruante Kosta Novakoviqi në gazetën “Socialicticka zora” të opozitës socialdemokrate serbe. Ai ishte edhe ushtar kur kishte parë me sytë e tij krimet që po bëheshin larg syve të bashkësisë ndërkombëtare. Novakoviqi kishe parë shqiptarët e Lumes që kishin zënë robër nëntë eprorë serbë dhe pasi ua kishin falë jetën, kishin vendosur t’i kthejnë në bazën e tyre. Pasi i dorëzojnë të gjallë, komanda serbe i pushkatoi shqiptarët në vend, duke ua prerë edhe kokat. Kosta Novakoviqi thekson se qëllimi i pushtetit kriminal të Beogradit është spastrimi etnik i territoreve shqiptare dhe manipulimi statistikor para Konferencës se fuqive të mëdha që do të caktojnë kufijtë e rinj.

Qeveria serbe, në raportet e saja me shkrim, krimet e luftës i mohon dhe në të shumtën e rasteve faktet i demantojnë duke ia veshur propagandës austro-hungareze e cila nga vendi i ngjarjes po shihte e shënonte përditë barbaritë që po bënte ushtria serbe në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri.

Ngjarjet e Luftës Ballkanike i kontribuuan ashpërsimit të konfliktit shqiptaro-serb, thekson raporti i përmendur. Më tutje, në raport thuhet:

Lufta e Parë Ballkanike i gjeti shqiptarët në luftë për formimin e shtetit të kombëtar. Në fund të vitit 1912, pasi Porta ia njohu autonominë Shqipërisë, vendet ballkanike fqinje, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, së bashku kinse sulmuan Turqinë, por në të vërtetë ata iu vërsulen popullatës autoktone shqiptare dhe për disa muaj pushtuan dhe ndanë mes tyre pjesën më të madhe të territorit të populluar me shumicë shqiptare. Mbretëria serbe mori pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe të të bregdetit shqiptar. Shqiptarët kundërshtuan ndarjen dhe organizuan rezistencë të armatosur.

Okupimi i tokave shqiptare zgjati nga nëntori i vitit 1912 deri në tetor 1913. Pas presionit ndërkombëtar, fqinjët ballkanikë të shqiptarëve, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, u detyruan të tërhiqen nga territori i Shqipërisë së cunguar të pranuar ndërkombëtarisht. Pas formimit të njëfarë Principate të Shqipërisë, më shumë se gjysma e popullatës shqiptare mbeti jashtë këtij shteti.

Serbia, pas aneksimit të Maqedonisë dhe Kosovës, vendosi kufij mes vendbanimeve shqiptare. Qeveria serbe, kundër marrëveshjes së arritur në Konferencën e Londrës, ndaloi edhe hyrjen dhe kthimin e popullatës shqiptare nga Shqipëria, qoftë edhe në treg dhe në arat e tyre me arsyetim të kinse sulmeve që vinin nga andej kufiri.

Për këtë dhunë serbe, Dimitrije Tucoviqi ka shkruar:

Okupimi nga Ushtria serbe shtrihej nga lindja deri rrëzë maleve e bjeshkëve të larta. Ajo ndau lavërtarët nga arat e tyre dhe shitësit nga tregu i tyre, ndau rrethinën nga vendbanimet dhe vendbanime të tëra malore nga arat e tyre që kishin mbjell drithë për bukë. Shqiptari nga ajo anë nuk guxonte të shkelte në token e tij që mbeti brenda vijës kufitare serbe. Të gjitha burimet për jetë u prenë. Të dëshpëruar dhe të uritur, populli lutej për të dal të lirë në treg dhe kur edhe kjo e drejt iu mohua dhe ndërpre, mes urisë dhe vdekjes nga plumbi, ata zgjodhën këtë të dytën.

Në shtator shpërtheu kryengritja e madhe shqiptare kundër pushtetit okupues serb në trevën e Lumës (në jugperëndim të Prizrenit, në territorin që sot shtrihet në Shqipërinë veriore dhe në Dibër, Strugë e Ohër të Maqedonisë së sotme si dhe në bjeshkët në perëndim të Gjakovës ( pjesë e Kosovës). Në këtë kryengritje morën pjesë mbi 10 mijë shqiptarë, me ndihmën e disa njësive të komitëve (nga organizata e brendshme revolucionare maqedonase). Për të shuar këtë kryengritje, Serbia mobilizoi afër tri divizione – duke dërguar 20 mijë ushtarë që depërtuan në Shqipëri, deri në Elbasan.

Serbia nxori Urdhrin mbi sigurinë publike në territoret, sipas saj të çliruara. Me këtë urdhër parashihej dënimi me pushkatim të çdo kryengritësi. Ky vendim është dëshmi e mjaftueshme për masat represive që vendosi pushteti serb i cili vet vlerësonte e gjykonte kush është kryengritës e kush jo. Pastaj, pushtuesi serb, me po atë urdhër kishte paraparë dëbimin e familjeve të kryengritësve, dhe për ato parashihej dënim me tre vjet burg nëse kthehen në shtëpitë e tyre (neni 5 i këtij Urdhri) si dhe shpenzimet e qëndrimit të trupave ushtarake duhet t’i heq vendbanimi ku është vendosur Ushtria serbe.  Opozita serbe e kundërshtoi këtë ligj të padrejtë dhe armiqësor duke kërkuar zbatim të drejtësisë së njëmendët dhe aplikimin e kushtetutës aktuale serbe edhe atje në ato territore të aneksuara.  Qeveria serbe shpalli amnisti në tetor të vitit 1913, por ligji policor për shqiptarët vazhdoi të mbetet në fuqi.

Për krimet e ushtrisë serbe dhe të njësive të saj paramilitare mbi popullatën shqiptare, raportonin të gjitha gazetat opozitare të vendeve të Evropës (nga Franca, Austria, Italia, Gjermania, Anglia, Danimarka, Rumania dhe Rusia) ashtu si edhe shtypi amerikan dhe ai opozitar serb. Raportet e shumta që botoheshin njoftonin për vrasje masive të popullatës shqiptare, për shkatërrime të mëdha të qyteteve shqiptare, për djegien e fshatrave, plaçkitjen e shtëpive shqiptare, për prerje kokash, për përdhunime grash e vajzash dhe për dhunë të egër mbi fshatarët shqiptarë. Pasi serbët hynin nëpër shtëpi të shqiptarëve, nën pretekstin e kërkimit të armëve, ata ua prisnin kokat të gjithë njerëzve që hasnin aty në shtëpi. Gjatë këtij kontrollim, shqiptarët i masakronin, patën armë apo jo.

Shqiptarët e arrestuar i detyruan të marshojnë me qindra kilometra pa ngrenë e pa pi ujë dhe cilido që rrëzohej nga rraskapitja e thernin me bajoneta duke e lënë pa varrosur bri rrugëve. Për çdo ushtarë të vrarë serbë, pushkatoheshin dhjetë shqiptarë, pa dallim – burra gra e fëmijë. Në vendbanimet shqiptare, Ushtria serbi ndërtoi edhe trekëndëshat për varje.

Publicist i vjenez Leo Frojndlih, i cili raportet për krimet serbe mbi shqiptarë dhe raportet e shtypit të vendeve të Evropës i botoi në Librin “Golgota shqiptare”, thotë se Serbia kreu barbari e masakrime një pas një, duke kaluar edhe kufirin e caktuar me Shqipërinë. Ushtria serbe masakroi shqiptarë myslimanë e katolikë, kudo ku kaloi.

Mjeku rumun dr. Leonte në gazetën “Adevarul” më 6 janar 1913, shkruan se “tmerret që ka parë e të cilat i ka bërë ushtria serbe mbi shqiptarët vendas, tejkalojnë edhe çdo krim që mund të imagjinohet e që mund të ketë parë njeriu ndonjëherë”.

“New York Times” më 31 dhjetor shkruante se këto barbari janë rezultat i politikës së paramenduar serbe për të shfarosur shqiptarët myslimanë.

“L’Humanite” e Parisit publikon raportin zyrtar të konsullit francez në Selanik në të cilin aktivitet serbe në Shqipëri i përshkruan si plaçkitje, asgjësim dhe masakra të njerëzve.

Fric Magnuson, reporter lufte i Danimarkës, në gazetën “Riget” shkruante se aktivitetet e Ushtrisë serbe në Maqedoni kanë marrë përmasa të shfarosjes së popullatës shqiptare.

Leon Trocki si reporter lufte dhe udhëheqës i mëvonshëm i Armatës së Kuqe, në gazetën ruse “Luč” shkruante se serbët po shfarosin dhe zhdukin pa gjurmë popullatën myslimane shqiptare nëpër qytete, fshatra dhe rrethe të tëra.

Kosta Novakoviqi shkruan se qeveria e tij imperialiste nuk ka lënë asnjë metodë dhune pa përdorë mbi shqiptarë. Ai konsideron se shfarosja e shqiptarëve po bëhet me qëllim të kolonizimit me serbë për të bërë serbizimin e Kosovës.

Dimitrije Tucoviq ia tërheq vërejtjen opinionit serb se përpjekja serbe për të shfarosur një komb të tërë është krim dhe për këtë nuk do të kalojë pa marrë përgjigje e pasoja.

Pas shumë njoftimeve për krime lufte në Ballkan, Karnegi më 1913 formoi një Komisionin ndërkombëtar të cilin e përbënin kryesisht profesorë universitetesh të Francës, Britanisë së Madhe, të ShBA-së, Gjermanisë, Austrisë dhe Rusisë. Komisioni udhëtoi në Ballkan në fillim të gushtit deri në fund të shtatorit dhe në terren tuboi bisedoi me refugjatë e të përndjekur, fotografoi vendbanime të djegura, arkivoi dokumente origjinale (letra, shpallje, urdhëresa. afishe, komunikata) e të tjera, në mënyrë që pas kthimit në Paris të botohet një raport i detajuar. Gjetjet e komisionit vërtetuan se kishin ndodhur krime të rënda lufte. U vërtetua se armët nuk ishin përdorë vetëm kundër ushtrisë armike por edhe për shfarosjen masive të popullatës shqiptare, pa marrë parasysh gjininë a moshën. Komisionin konstatoi se në Vilajetin e Manastirit, të cilin e ndanë Serbia dhe Greqia, ishin djegur 80 për qind të fshatrave e vendbanimeve shqiptare.

Autoritetet serbe, në fund të gushtit të vitit 1913 penguan hyrjen e Komisionit në territorin shqiptar nën kontrollin e vet. Krahas kësaj, shtypi serb sulmoi ardhjen e Komisionit duke e konsideruar si shkelje të sovranitetit dhe përzierje në punët e brendshme të shtetit serb.

Të dhënat që tuboi Komisioni u publikuan më 1914, por raporti u harrua pas fillimit të Luftës së Parë Botërore.