LAJMI I FUNDIT:

Krerët shtetërorë bëhen bashkë për Epopenë e UÇK-së

Krerët shtetërorë bëhen bashkë për Epopenë e UÇK-së

Në nderim të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan në kazermën “Adem Jashari”. 

Ceremonia shtetërorë e cila filloi në ora 12:00 bashkoi liderët e institucioneve e shumë qytetarë.


Të pranishëm në manifestim ishin presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ish-presidentja Jahjaga, ish kryeministri Haradinaj, ministra, deputet, kryetar komunash, veteranë, invalidë, familjarë të dëshmorëve, qytetarë dhe nxënës të shkollave të Kosovës.

Pas revistës së kuadrateve të FSK-së, nga presidenti Hashim Thaçi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, manifestimi filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar.

Pastaj, presidenti Thaçi, kryeministri Kurti, kryetarja e Kuvendit Osmani, vendosen kurora lulesh pranë Obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.

Më pas krerët shtetërorë iu drejtuan të pranishmëve me disa fjalime.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi pohoi se heroizmi i familje Jashari mobilizoi botën dhe shqiptarët kudo që ishin.

“Heroizmi dhe sakrifica e Jasharajve zgjoi ndërgjegjen shqiptare, mobilizoi botën shqiptare kudo”, tha ai.

Thaçi më tej shtoi se heroizmi i Jasharajve dhe lufta e tyre titanike e vuri në lëvizje edhe diplomacinë botërore për Kosovën.

“Sa herë që vijnë ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kujtojmë çmimin e lirisë së Kosovës dhe marrim energji për të ardhmen. Kujtojmë sakrificën e mijëra dëshmorëve dhe martirëve dhe të gjithë qytetarëve të rënë për liri”, ka thënë presidenti.

Ai ka thënë se ushtarët e Kosovës janë trashëgimtarët e projektit më të suksesshëm politik e ushtarak të kombit shqiptar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa, pas Thaçit, ushtarëve iu drejtua kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Ajo tha se ndihet mirë që t’i drejtohet Forcave të Sigurisë së Kosovës, që janë sinonim i shtetësisë së Kosovës, mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit.

“Familja Jashari dha shembullin më të rrallë, që bëri sakrificën sublime të flijimit për të atdhe, që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se i kujtojnë me dhembje, por edhe me krenari familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e vendit.

“Nuk mund të gjejmë pikë më të fortë referuese e frymëzuese për sakrificë ndaj atdheut se personaliteti i Adem Jasharit dhe familjes së tij”, tha ajo.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se është kënaqësi të jetë në prani të FSK-së.

Ai tha se Ushtria e Kosovës mund të ketë akronime të ndryshme, por çdo herë do të ketë komandantin e saj legjendar, Adem Jasharin që trimëron dhe frymëzon ushtarët e ri.

“Epopeja e UÇK-së e ndryshoi politikën dhe historinë. Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen. Është interes i yni strategjik e jetik aleanca e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo aleancë tejkalon interesat e ngushta dhe të përkohshme sepse ndajmë aspirata të përbashkëta për një shoqëri të lirë dhe të hapur, të bazuar në të drejtat e njeriut, në ekonomi të tregut dhe barazi në mundësi. Këtë aleancë nuk mund të cenojë dhe të prish askush. Por Shtetet e Bashkuara e duan një Kosovë të fortë dhe të pavarur, që avancon demokracinë dhe i kontribuon paqes në rajon, që mbron dhe avancon interesat e saj”, tha Kurti.

Pas liderëve shtetërorë, në foltore doli Rifat Jashari, vëllai i komandantit Adem Jashari.

Ai falënderoi të gjithë të pranishmit që janë mbledhur në kazermën “Adem Jashari”, për t’i kujtuar bijtë dhe bijat më të mira të kombit tonë brez pas brezi.

“Lavdi e nder për të gjithë ato familje që i dhanë më të dashurit për këtë liri që na e gëzojmë sot”, deklaroi Jashari.

Aktivitetet për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë do të vazhdojnë edhe më datën 6 dhe 7 mars. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori