Prej orës 10:00 të ditës së sotme, krerët më të lartë të Drejtësisë kanë nisur raportimet në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale lidhur me punën e bërë gjatë vitit 2024.

I pari që u ul përpara deputetëve ishte ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili e mori detyrën rreth një muaj më parë.


Gjatë raportimit ai u përplas me deputetët demokratë, të cilët e pyetën nëse ishte produkt i Soros, ndërkohë që ministri u shpreh se gjatë kohës së ndjekjes së studimeve, e vetmja mundësi për të ndjekur shkollën ishte mbështetja përmes organizatave të huaja.

Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela deklaroi se mbi 2 mijë persona janë përgjuar gjatë vitit 2024 në kuadër të hetimeve të ndërmarra.

12:18: Raporti mbi kriminalitetin në vend, Prokurori i përgjithshëm raporton në Kuvend: 2159 persona të përgjuar në 2024, 933 me autorizim nga gjykata

Në seancën dëgjimore, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, raporton mbi gjendjen e kriminalitetit, për vitin 2024.

Gjatë fjalës së tij, kryeprokurori u shpreh se në 2024, janë shqyrtuar 61167 materiale, 47576 procedime penale.

11:55: “A je produkt i Soros?”/ Debat te “Ligjet”, ministri Lamallari: Unë nuk ia bëj kujt biografinë familjare, s’kisha mundësi të merrja fond ekselence

Gjatë raportimit të ministrit të Drejtësisë në Komisionin e Ligjeve, deputetët u përfshinë në debat kur Elda Hoti e PD-së pyeti ministrin nëse ishte produkt i Soros.

Besfort Lamallari, në përballjen e parë me deputetët në Kuvend, tha se ai vetë nuk kishte marrë fonde nga ekselenca, megjithëse kishte qenë student ekselent dhe mënyra e vetme për të ndjekur studimet ka qenë përmes fondeve të partnerëve.

10:59: “Na mori malli o burrë i dheut, ku është kryeministri ta puth”, ironi dhe batuta te “Ligjet”, Manja i përgjigjet Korreshit: Edhe po erdhi, ti nuk e arrin dot

Por edhe në këtë komision, pavarësisht debateve, nuk kanë munguar as batutat dhe ironitë, e këtë herë mes drejtuesit të komisionit Ulsi Manja dhe anëtarit të PD, deputetit Saimir Korreshi.

Teksa Manja i dha fjalën për t’iu drejtuar me pyetje ministrit, i tha me batutë që të mos i shoqërojë me komente.

“Pa shumë komente te fjala, se ti çdo koment e merr me referencë nga Lushnja, po s’besoj se do na hyjë në punë te Kodi Penal”, tha Manja me batutë.

10:45: “Në 2024, u sekuestruan 65.5 mln euro pasuri”, ministri Lamallari te ‘Ligjet’: Mes objektivave për 2025, edhe përdorimi i AI në hetime proaktive

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, ka paraqitur raportin mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024, ku i është përgjigjur dhe pyetjeve nga anëtarët e këtij komisioni.

Gjatë prezantimit të raportit, ministri u shpreh se Shqipëria ka pasur në 2024 rritjen më të lartë të hetimeve proaktive dhe sekuestrimet pasurore të 5 viteve të fundit. /Tch/