LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Statusi i investitorit strategjik është zvarritur për shkak të vakuumeve institucionale

Krasniqi: Statusi i investitorit strategjik është zvarritur për shkak të vakuumeve institucionale

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një konference virtuale me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, në të cilën bashkë me përfaqësues të bizneseve anëtare të kësaj ode u diskutua për të ardhmen e ekonomisë kosovare pas pandemisë COVID-19, si dhe planifikimet e Qeverisë për mbështetje ndaj sektorit privat.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi nevojën për miratim të buxhetit dhe Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, mungesa e të cilave po vazhdon të shkaktojë stagnimin e rimëkëmbjes.


Zeka gjithashtu potencoi rëndësinë e investitorëve strategjik dhe investimeve të huaja, të cilat sipas tij janë vitale për të siguruar zhvillimin ekonomik të vendit derisa rekomandoi ministrin të rishqyrtojë me prioritet aplikacionet e investitorëve strategjik.

Krasniqi tha se me gjithë dëshirën për lejim të veprimtarive ekonomike, si pasojë e ngritjes së numrit të infektimeve me COVID-19 situata është rënduar dhe ka qenë e domosdoshme që të merren masat e nevojshme.

Ai theksoi se për zbatimin sa më të mirë të masave janë krijuar udhëzimet administrative në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe se gjithashtu janë krijuar grupe për inspektimin e veprimtarive dhe respektimin e masave mbrojtëse brenda sektorit të gastronomisë.

Ai gjithashtu shtoi se rishikimi i buxhetit dhe finalizimi Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike të Kosovës janë në fazat finale të procedimit në Kuvend, derisa potencoi se pas miratimit të këtyre projektligjeve brenda një afati të shkurtër kohor do t’i hapet rrugë zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale dhe asaj për Rimëkëmbje Ekonomike.

Tutje, ministri gjithashtu foli për çështjen e investimeve strategjike, ku tha se aprovimi i statusit të investitorit strategjik është zvarritur për shkak të vakuumeve institucionale dhe është i dhimbshëm fakti se deri më tani këtë status e gëzojnë vetëm dy kompani, sepse në këtë mënyrë investitorët potencial mund t’i konsiderojnë shtetet fqinje në vend të Kosovës në një kohë kur çdo investim është i nevojshëm. /Telegrafi/