Krasniqi merr mbështetjen e Bullgarisë, Greqisë dhe Malajzisë për Kosovën

Gjatë takimit me kryeparlamentarin Krasniqi, shefi i Zyrës së Bullgarisë në Prishtinë, Nikolay Kolev, tha se - Bullgaria tashmë ka një bashkëpunim të mirë edhe ekonomik me Kosovën, ndërsa ky bashkëpunim në këtë vit do të begatohet edhe më shumë.
Ndërkaq, duke u përgjigjur ne pyetjen se a e përkrah Bullgaria shpalljen e njëanshme të pavarësisë, ai kujtoi qëndrimin e ministrit të Jashtëm të Bullgarisë se ky vend do të përkrahë Planin e Ahtisaarit.
Kryeparlamentari Krasniqi ndërkaq, shprehu mirënjohje për qëndrimin parimor të Bullgarisë përkitazi me zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, duke përmendur në këtë vështrim edhe takimin e kryetarit bullgar me kryetarin e Rusisë Putin.
Ndërkaq, në pyetjet rreth datës së shpalljes së pavarësisë, Krasniqi theksoi kjo do të ndodhë shumë shpejt, në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.
Greqia afër Kosovës në proceset e gjithmbarshme
Edhe gjatë takimit me shefin e Zyrës së Greqisë në Prishtinë, Nicolaos Kanellos, Krasniqi është siguruar se Greqia do të jetë afër Kosovës në proceset e gjithmbarshme - posaçërisht duke ndihmuar punën e Parlamentit të Kosovës, i cili është themel i demokracisë.
Duke u përgjigjur në pyetjen rreth disa deklarimeve kontradiktore të këtij vendi sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës, Kanellos tha se kjo nuk ishte çështje e këtij takimi, por Greqia “kurrë nuk ka pasur mëdyshje në çështjen e zhvillimit të Kosovës drejt Evropës”.
“Këtë çështje t’ia lëmë Brukselit. Natyrisht se lidhur me këtë Greqia dëshiron një vendim të fortë të BE-së. Shteti grek po ashtu insiston që sa më shpejt që është e mundur të vijë misioni i BE-së në Kosovë”, theksoi Kanellos.
Kryeparlamentari Krasniqi falënderoi për përgëzimet Kanellosin, duke theksuar se është meritë edhe e tij për një politikë të favorshme të Greqisë ndaj Kosovës. Ai shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje.
Malajzia përkrah pavarësinë e Kosovës
Krasniqi të enjten ka pritur edhe shefin e Zyrës së Malajzisë në Prishtinë, Mustafa HJ. Mansor, i cili i premtoi kryeparlamentarit thellim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në segmente të tjera zhvillimore.
Kur është fjala për çështjen e procesit të statusit të Kosovës, Mansor shprehu përkrahje për pavarësinë e Kosovës.





















































