Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje sërish do të dështojë të formojë qeverinë e re.

Ai tha se mandatari për kryeministër nga kjo parti, Glauk Konjufca, s’i ka numrat dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.


Krasniqi në konferencë për media të mërkurën, tha se deri tani Konjufca s’ka pasur asnjë kontakt apo kërkesë për t’i mbështetur për të krijuar shumicën parlamentare.

Konjufca, pas mandatimit për kryeministër nga presidentja Osmani, ka kohë deri më 19 nëntor të kërkojë votëbesimin në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka dështuar me 26 tetor të formojë qeverinë e re.

“Kërkesa ime ka qenë që ata të nesërmen ta ftojnë seancën, pasi sikur ta kishin ftuar të nesërmen apo më 19, kur është afati i fundit, rezultati dihet, pasi kanë me dështuar. S’ka mundësi që të krijojë një qeveri të re Lëvizja Vetëvendosje. Rrjedhimisht, po shkojmë drejt zgjedhjeve, por sa më herët do të kishte qenë më mirë, vetëm se tash mbetet çështje e afateve kushtetuese. S’ka pasur kontakte, kërkesa. Dihet botërisht se ata kanë marrë për ta zvarritur kohën në funksion të balotazhit, për të krijuar një mjegull kinse kemi një shans, por që realisht edhe ata e dinë se s’kanë asnjë shans me bërë Konjufcën kryeministër”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk e mbështet as kërkesën për zgjatje buxhetore nga presidentja Vjosa Osmani.

“Problemi është se s’ka komisione dhe komisionet s’mund të themelohen. Për t’i themeluar komisionet parlamentare duhet me ditë kush është pozita dhe kush është opozita. Ky është problemi. Zgjidhjet që rrëshqasin në terren legal apo jo legal mendoj se nuk na duhen. A është me rëndësi? Po, absolutisht. Më me rëndësi është me u mbajt zgjedhjet më herët dhe mos me i bërë këto zgjatje të panevojshme, pasi s’ka pasur arsye me ia dhënë mandatin, sepse dihet saktësisht se s’i ka votat... Nëse mbahen zgjedhjet më shpejt, mundësia për të pasur qeverinë është më e madhe dhe pastaj s’ka nevojë të ketë zgjatje, sepse në fund të shkurtit mund të miratohet buxheti”, tha Krasniqi të mërkurën, ku njoftoi për dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të PDK-së.