Deputeti i “Lista Guxo”, pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, komentoi situatën politike në Kosovë.

Kraki deklaroi në Euronews Albania se situata aktuale institucionale është e pazakontë, pasi sipas tij kalendari legjislativ ka hyrë në konflikt me kalendarin presidencial, duke krijuar një përplasje afatesh që nuk përputhen me parashikimet kushtetuese. Ai theksoi se legjislatura e re pati shumë pak kohë në dispozicion për të zgjedhur presidentin, çka sipas tij ka sjellë një vakum institucional.


Ai shtoi se presidentja Vjosa Osmani kishte të drejtë kur deklaroi se vendi mbeti pa president për shkak të mosveprimit të deputetëve, pasi sipas tij ishte përgjegjësi e Kuvendit që të siguronte kuorumin dhe të zgjidhte kreun e shtetit brenda afatit.

Deputeti i Listës Guxo tha se në këtë situatë është i domosdoshëm interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të sqaruar se si duhet vepruar më tej, ndërsa pritet edhe vendimi nëse kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit do të hyjë në fuqi dhe nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Shikoni, më herët e thashë me një postim në Facebook se tash po gjendemi në një situatë që s’e kemi njohur më herët. Do të thotë kalendari legjislativ vjen dhe shkel kalendarin presidencial, pa dëshirën tonë apo të presidentes Osmanit dhe datat nuk përputhen. Afatet kushtetuese nuk është se po përputhen dhe unë mendoj që legjislatura e re i kishte vetëm pak ditë kohë për ta zgjedhur presidentin. Do të thotë nuk u plotësua ai kushti 60-ditor që është i garantuar me Kushtetutë. Prandaj duhet absolutisht intervenimi i Gjykatës Kushtetuese që të na tregojë si të veprojmë, sepse në parimet e së drejtës kushtetuese një e drejtë e afatizuar nuk ka kuptim nëse nuk është e plotë".

"Besoj se pritet për disa ditë, nëse nuk gaboj, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nëse shpërndarja që ka kërkuar zonja Vjosa Osmani do të hyjë në fuqi dhe nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe të jashtëzakonshme. Po, absolutisht. Zonja Osmani kishte të drejtë kur tha që mbetëm pa president nga papërgjegjësia e deputetëve. Normalisht prej nesh deputetëve është pritur që më 5 mars të mblidhemi të gjithë aty, ta bëjmë kuorumin prej 80 e më shumë dhe të kemi një president, që më 6 në mëngjes ta kemi një president të ri apo presidente. Kështu që në sensin strikt të normave të së drejtës, zonja Osmani kishte të drejtë, pa marrë parasysh dhe pa e futur në kombinim kohëzgjatjen e legjislaturës së re, e cila ishte shumë e shkurtër që të drejtat kushtetuese të parlamentit dhe të deputetëve të respektohen”, tha Kraki.

- YouTube youtu.be