LAJMI I FUNDIT:

Kraja iu përgjigjet kolegëve të Akademisë: Marr përgjegjësi për çdo shkronjë të tekstit

Kraja iu përgjigjet kolegëve të Akademisë: Marr përgjegjësi për çdo shkronjë të tekstit

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Mehmet Kraja, i është përgjigjur Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK, lidhur me dokumentin “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Pas një mbledhje të mbajtur këtë të premte, Seksioni i Shkencave Shoqërore është distancuar nga ky dokument i publikuar në faqen zyrtare të ASHAK-ut, i cili sipas tyre është i paautorizuar.

Seksioni gjithashtu ka akuzuar Krajën për sjellje imponuese e arbitrare, e që sipas tyre, po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është.

Këtyre deklaratave u është përgjigjur Kraja, duke dhënë disa sqarime.

Ai ka thënë se si kryetar i ASHAK-ut nuk është në pozitë të imponojë, e as nuk ka imponuar asnjë sjellje arbitrare.

“Përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi”, ka shkruar Kraja në Facebook.

Lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, ka sqaruar se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës.

“Dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës dhe sipas radhës, janë shprehur këto qëndrime: Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime; Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë; Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj; Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë; Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj”.

“Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022)”.

Tutje, Kraja ka thënë se nga 38  anëtarët e Akademisë janë përgjigjur me shkrim vetëm dy prej tyre: akademik Isa Mustafa dhe anëtari korrespodent, Arsim Bajrami.

“Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar”.

Në fund, ai ka thënë se edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara dhe me qëllim të ruajtjes së institucionit, ka kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri i tij në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë.

“Që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, ka publikuar të mërkurën në faqen e tij në Facebook, një analizë të përgjithshme të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (të hartuar dhe publikuar në janar 2022).

Kraja ka thënë se ky dokument synon të tërheq vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, janë bërë më agresive dhe destabilizuese për rajonin, duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.

Por, publikimi i këtij dokumenti ka ngjallur reagime të shumta. I pari që ka reaguar është kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, i cili thënë se qëndrimet e këtij teksti përputhen me interesat zyrtare shumëvjeçare të Beogradit që përpiqet të përçajë shqiptarët dhe të ndërtojë dallime esenciale mes shqiptarëve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Shqipërisë.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të anëtarëve të ASHAK-ut, distancimin nga teksti, heqjen e tij nga botimet zyrtare të këtij institucioni dhe kërkim falje formale për publikimin e një “materiali kaq ofendues e të dëmshëm”./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Elfije Boletini
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Lajme
Kalo në kategori