KQZ: Votimi nisi pa probleme në të gjitha 1628 vendvotimet

Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur konferencën e parë rreth hapjes së vendvotimeve për raundin e balotazhit.
Valmir Elezi nga KQZ tha se të gjitha vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po zhvillohet normalisht.
“Ju njoftojmë se në orët e hershme të ditës së sotme, materialet janë shpërndarë në kohë në të gjitha vendvotimet”, tha ai, raporton Telegrafi.
“Procesi i votimit në 18 komuna për kryetarë ka nisur me kohë. Sot procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra, me gjithsej 1628 vendvotime, të cilat janë të hapura dhe 18 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimin me kusht”.
“Numri i votuesve në 1.316.672 votues, që janë të shpërndarë në këto 18 komuna. Në këto vendvotime, janë të përfshirë edhe personat që nuk i kishin mbushur 18 vjeç”.
“61 ekipe mobile lëvizëse do të jenë në terren për t’u mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta”, shtoi Elezi.
Konferenca e dytë do të zhvillohet në ora 11:30, ku do të flitet për pjesëmarrjen deri në ora 11:00. /Telegrafi/


















































