Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në Qendrat Komunale të Numërimit të Prishtinës, Podujevës dhe Kllokotit, procesi i numërimit nuk ka nisur ende për shkak të problemeve me rrjetin e internetit.

Sipas njoftimit të KQZ-së ky problem po pengon transmetimin e pamjeve për vëzhguesit në ekranet televizive.


“Ekipet teknike të KQZ-së janë në terren dhe po punojnë për zgjidhjen e shpejtë të problemit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim procesi i numërimit të votave është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në këto komuna: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prizren (me 6 grupe numërimi), Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.

“Në QKN e Hanit të Elezit, numërimi dhe verifikimi u përmbyll të hënën në mbrëmje. Deri tani nga 250 vendvotime, përkatësisht 500 kuti votimi nga të dyja llojet e zgjedhjeve, janë: verifikuar rezultatet për Kryetarë të Komunave, verifikuar rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale, numëruar votat për anëtarë të Kuvendeve Komunale. Platforma e rezultateve është duke funksionuar pa probleme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/