KQZ: Afati për votim përmes postës për diasporën përfundon më 11 tetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 11 tetor 2025 përfundon periudha e votimit përmes postës për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar për të marrë pjesë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvendet Komunale.
Sipas KQZ-së, kjo periudhë e votimit, e cila ka filluar më 17 shtator, është e vlefshme vetëm për 43,933 votues që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.
“Deri më 11 tetor, të gjithë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës duhet të kenë dërguar pakon e tyre me fletëvotime në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Kutitë postare janë vendosur në 24 shtete, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e diasporës kosovare. Shtetet ku janë funksionale këto kuti përfshijnë: Australinë, Austrinë, Belgjikën, Çekinë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Holandën, Hungarinë, Italinë, Kanadanë, Kosovën, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, ShBA-në, Shqipërinë, Slloveninë, Suedinë, Turqinë dhe Zvicrën.
KQZ u bën thirrje të gjithë votuesve që janë regjistruar të përdorin të drejtën e tyre për të votuar në kohë, në mënyrë që vota e tyre të konsiderohet e vlefshme.
Zgjedhjet Lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor 2025. /Telegrafi/





















































