Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu, KOSTT, ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që furnizohen nga Nënstacioni 220/10 kV Drenasi 2.

Sipas KOSTT, masa është ndërmarrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar depërtim të ujit në objektet e nënstacionit, duke ndikuar në sigurinë e operimit.


“Uji ka depërtuar fillimisht në kthinat e KEDS-it dhe më pas edhe në pjesën e KOSTT-it, duke ndikuar në kushtet e operimit të nënstacionit”, bëhet e ditur në njoftim.

KOSTT po monitoron situatën në terren në koordinim të vazhdueshëm me KEDS dhe institucionet përkatëse, ndërsa furnizimi me energji elektrike do të rikthehet sapo të krijohen kushtet e sigurta për operim.

“Ekipet tona janë në terren dhe po e përcjellin nga afër situatën. Ju kërkojmë mirëkuptimin për këtë ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike”, thekson KOSTT. /Telegrafi/