LAJMI I FUNDIT:

Kosta Petrov: Të gjithë jemi në rrugën e suksesit, duhet vetëm punë dhe të mos dorëzohemi

Kosta Petrov: Të gjithë jemi në rrugën e suksesit, duhet vetëm punë dhe të mos dorëzohemi

Ai ka një dekadë në botën e biznesit, është pronar i një agjencie krijuese që organizon ngjarjet më të rëndësishme botërore që tashmë kategorizohet si një brend global. Kosta Petrov, sipërmarrësi i cili është gjithmonë i gatshëm për sfida të reja, rrëfen për Telegrafi Maqedoni rrugën e tij drejt suksesit, e që duket se nuk ka qenë dhe aq e lehtë për të.

Intervistoi: Valon Osmani


Kur flasim për suksese emri juaj nuk është se mungon, na trego për ata që ndoshta nuk të njohin shumë, kush është Kosta Petrov?

Unë jam unë! Së pari, jam baba dhe bashkëshort. Ashtu si kalojnë vitet, kam kuptuar se suksesi profesional nuk duhet të na përcaktoi kush jemi ne si njerëz.Të gjithë ne jemi shumë më shumë se sa funksioni që kemi në punë, në kompani apo pozitave të ndryshme varësisht nga ajo që punojmë në përgjithësi. Profesionalisht jam një sipërmarrës dhe themelues i Pi World! Pi World është një agjenci krijuese që hapëm me gruan time 10 vjet më parë. Ne organizojmë mbi 50 ngjarje biznesi në vit në 40 vende të botës. Jam krenar që së bashku me ekipin tim për më shumë se 10 vjet kemi dëshmuar që vendi ynë ka potencialin për të krijuar marka globale. Ne bashkëpunojmë globalisht me të gjitha markat kryesore botërore dhe kemi siguruar shërbime të marrëdhënieve me publikun për disa vite. Është një ndjenjë e mrekullueshme të shohësh se ajo që ishte thjesht një ëndërr dikur, tashmë bëhet realiteti yt. Shumica mund të më njohin më shumë përmes librave të mi. Ndjej se secili prej nesh ka mësime dhe eksperienca të mësuara në jetë dhe është përgjegjësia jonë t’i ndajmë ato mësime me të tjerët. Të gjithë kalojmë nëpër të njëjtat gjëra në jetë dhe është e rëndësishme të flasim për sukseset dhe sfidat me të cilat përballemi.

Arjanit Hoxha: Në skenën politike jam që 13 vjet dhe kam përjetuar ndryshimet më të mëdha politike në vend
Lexo po ashtu Arjanit Hoxha: Në skenën politike jam që 13 vjet dhe kam përjetuar ndryshimet më të mëdha politike në vend

Sa ka qenë e vështirë rruga jote drejt suksesit, mund të na tregosh ndonjë rast ku je përballur me vështirësi?

Të gjithë jemi në rrugën e suksesit por fatkeqësisht, shumë prej nesh mendojnë se lumturia dhe suksesi na presin në një destinacion tjetër, diku tjetër. Me kalimin e kohës, kam mësuar se secili prej nesh ka potencialin për të përmbushur ëndrrat tona, por për ta bërë këtë, duhet të shijojmë çdo moment të jetës, si pozitiv, ashtu edhe ata përvoja që na japin mësime të fuqishme jetësore . Unë jam mirënjohës që kam mësuar shumë mësime në jetën time që më bëjnë një person më të mirë sot dhe gjithashtu më ndihmojnë të shoh bukuritë e jetës. Si sipërmarrës në këto 10 vjet kam mbijetuar absolutisht çdo gjë. Fillimi i biznesit në Maqedoni nuk është diçka e lehtë, veçanërisht nëse keni një vizion për të krijuar një markë globale. Si kompani, së bashku me kolegët e mi, ne kemi mbijetuar absolutisht suksesshëm që 10 vite. Anulimi i ngjarjeve për shkak të sulmeve terroriste, rënies së çmimeve të naftës dhe humbjes së tregjeve kryesore, krizave financiare dhe zhvlerësimeve, shpërthimeve të vullkanit dhe më shumë, të gjitha i kemi përballuar. Dhe vetëm kur mendoni se keni mbijetuar gjithçka, shfaqet një virus corona dhe ju duhet të bëni strategji si të merreni me një krizë globale si kjo. Por ja gjërat e këndshme, këtu mëson ndjenjën si është të keni arritur të krijoni një biznes në 40 vende, mundësia për të punuar me njerëz që po ndryshojnë botën e biznesit! Ndoshta mësimi më i madh në jetë është të jesh absolutisht gati për gjithçka dhe të gjesh të mirën në gjithçka. Dhe më e rëndësishmja, vendosni në përparësi punët që janë vërtet të rëndësishme në jetën tuaj. Më pëlqen suksesi im dhe suksesi i kompanisë sonë, por e di që ata nuk më përcaktojnë mua si individ. Familja ka më shumë rëndësi për mua! Kur kthehem në shtëpi, vajza ime nuk interesohet nëse kemi fituar një treg të ri apo se kemi të bëjmë me një krizë, e rëndësishme për të është që të jem me të dhe të shijojmë momentet tona të përbashkëta. Dhe sinqerisht, kjo është vetëm ajo që ka rëndësi për mua.

Përveç si një njeri i suksesshëm në botën e PR-it, po ashtu keni shkruar dhe disa libra, mes tyre libri “Shihemi në maje” ka rezultuar si më i shituri. Pse mendoni se ai libër ka rrëmbyer vëmendjen e publikut?

Kur po shkruaja librin, nuk besoja as në ëndrrat e mia më të çmendura që libri të bëhej një nga më të shiturit në Maqedoni. Unë kisha një qëllim të thjeshtë, të shkruaja një libër që vajza ime do të lexonte për 10-15 vjet dhe do të kuptonte se gjithçka në jetën tonë ishte e bukur, edhe në kohërat më të këqija kur ne nuk e pamë dritën në fund të tunelit! Doja të flisja hapur për gjërat që po ndodhnin në jetën time. Në lidhje me luftën time me depresionin, ankthin dhe të gjitha gjërat e mira në jetë. Me shumë mundësi kjo i bëri njerëzit të lexojnë dhe të blejnë librin. Është shumë e rëndësishme të flasim për shëndetin mendor. Nuk ka më tema tabu! Për çdo problem dhe sfidë, ekziston një zgjidhje dhe nganjëherë ajo zgjidhje është që të flasim hapur për gjithçka që ndodh në jetën tonë. Ne nuk kemi pse të luftojmë disa beteja më vete.

Taravari: Mjekësia dhe politika kanë një të përbashkët të rëndësishme, NJERËZIT!
Lexo po ashtu Taravari: Mjekësia dhe politika kanë një të përbashkët të rëndësishme, NJERËZIT!

Tashmë je i angazhuar dhe në skenën politike, konkretisht si nënkryetar i LSDM-së. Cili është qëllimi yt në politikë?

Unë hyra në politikë me një qëllim, të sjell ndryshime pozitive në shoqërinë tonë. Unë hyra në një botë që nuk ishte shumë e njohur për mua, dhe në fillim vërtet dyshova për vendimin tim. Ndryshimet nuk vijnë lehtësisht por ato ndodhin! Shpresoj se hyrja ime në politikë do të frymëzojë njerëzit e tjerë të hyjnë në politikë. Ne kemi nevojë për njerëz të rinj nga sektorë të ndryshëm. Njerëzit që dinë se si funksionojnë gjërat në jetën reale. Kemi pasur mjaft nga të gjithë, nga politikanë dhe njerëz që nuk kanë as përvojën e një dite në botën e vërtetë. Ne kemi nevojë për politikanë me përvojë praktike për të krijuar politika reale. Më pak filozofi dhe punë më shumë, kjo është motoja ime! Unë kam një vizion shumë të qartë se ku dua të shoh vendin tonë në vitet e ardhshme. Së bashku me një ekip sipërmarrësish dhe ekspertësh në botën teknologjike ne po punojmë në një strategji që do ta bëjë Maqedoninë një qendër të re fillestare dhe teknologjike në rajon. Ne kemi mendje të shkëlqyera në vendin tonë dhe ata duhet të përfshihen në politikëbërje, veçanërisht për të rinjtë. Unë e di se ka shumë të rinj që kërkojnë sukses jashtë Maqedonisë, por kemi edhe të rinj që krijojnë bizneset e tyre dhe krijojnë marka globale nga këtu. Për mua, këto janë heronjtë e rinj kombëtar. Me njerëz të cilët kanë një vizion të qartë, do t’u dëshmojmë të gjithëve se mund të krijojmë një Maqedoni të ndryshme që do të jetë një tokë e inovacionit dhe teknologjisë.

Cila është formula e suksesit që do ta ndaje me lexuesit e Telegrafit?

Është e thjeshtë! Jini gati për gjithçka dhe shijoni absolutisht gjithçka!

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Lajme
“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

Lajme
QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata

QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata "Alwaleed Philanthropies Global" në bashkëpunim me Fondacionin “Jahjaga”

Shëndetësi
Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Lajme
Kalo në kategori