Kosova vendos regjim të vizave për qytetarët e BE-së
- Persiatje jozyrtare -
Të nderuar qytetarë të BE-së! Po ju shkruajmë nga shteti i evropianëve të rinj (Young Europeans). Me këtë dëshirojmë t’ju përcjellim disa urime, por që përmbajnë një lajm të mirë dhe një lajm tejet të mirë. Sa herë kur na keni pyetur se cilin do të dëshironim ta dëgjonim të parin, ne gjithmonë kemi zgjedhur lajmin e mirë për të mos u dëshpëruar dy herë.
Fillimisht dëshirojmë që përzemërsisht t’ju urojmë t’i kaloni mirë e mbarë festat e fundvitit. Lajmi i mirë është që ne me këtë urim duam të theksojmë që në çfarëdo kohe dyert tona do të jenë të hapura dhe në të njëjtën kohë ju përcjellim vendimin e njëanshëm për vendosjen e regjimit të vizave për ju qytetarë të nderuar të BE-së.
Ndërsa, lajmi edhe më i mirë është që megjithatë mund të aplikoni për viza në web faqen www.dotimerrnivizatkurtishihniveshëttuajpapasqyrëqë për momentin është “under construction”, por pritet të jetë plotësisht funksional në 6 mujorin e parë të vitit 2013. Përveç kësaj faqeje, mund të aplikoni edhe në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës në kryeqytetet tuaja që pritet të fillojnë punën rreth vitit 2015, ndërsa me lëshimin e vizave do të fillojnë kur t’bën rrushi dardha.
Nëse edhe në këtë rast duket që aplikimi është i ndërlikuar, mund ta shfrytëzoni të drejtën tjetër; hipni aeroplanit dhe ejani në aeroport të Prishtinës ku zyrtarët e migracionit do t’ju presin me buzëqeshje dhe aplikacione të gatshme. Me të mbërritur në aeroport, krejt çka duhet të bëni është ta shikoni aplikacionin tuaj nëse zyrtarët e kanë plotësuar në rregull dhe të merrni numrin e telefonit të zyrës së migracionit që të mund të thërrisni pasi të jeni kthyer në vendin tuaj, për ta caktuar ditën e intervistës.
Zakonisht, për të caktuar një intervistë do t’ju duhet vetëm një sekondë. E shihni pra, që ky është me të vërtetë një urim që përcjell një lajm të mirë. Procedura të lehta, pa ndonjë burokraci. Nëse pyet se pas çfarë periudhe kohore do të caktohet intervista, këtë t’ju themi të drejtën nuk do të jemi në gjendje që ta themi me saktësi pasi që nuk mbajmë përgjegjësi nëse numri telefonik në të cilin do të duhet të thërrisni nuk është funksional sepse nuk menaxhohet nga ne, por nga operatori i jashtëm.
Megjithatë, urojmë që deri sa ju të mund të pajiseni me vizë, ne nuk do të quhemi Old Europeans, siç shpresojmë që edhe neve deri sa të na hiqen vizat, ju nuk do të jeni plakur.
Nga regjimi i vizave përjashtim bëhet për kategoritë e mëposhtme:
1. Qytetarët e BE-së me qëndrim/punë në Kosovë. Për të gjithë ju qytetarë të nderuar të BE-së që jetoni apo punoni në Kosovë procedurat do të jenë absolutisht të lehta. Para se ta lëshoni Kosovën, për arsye pushimi, biznesi apo ndonjë arsye tjetër, krejt çka duhet të siguroheni është që të keni blerë një çifteli dhe ta qitni “n’dyzen”.
I vetmi kriter që duhet plotësuar është që t’i bini çiftelisë deri sa t’ju vjen koha për t’u kthyer në Kosovë. Nëse një herë i keni ngatërruar gishtat atëherë duhet të gjeni një fyell (natyrisht të mësoheni t’i fryni), por mos u mërzisni se prapë do të mund të ktheheni në Kosovë. Por, duhet ta gjeni momentin kur të bëhet eklipsi i planetit Mërkur.
2. Përjashtim do të ketë edhe për të gjithë ata qytetarë të BE-së që për të ardhur në Kosovë paguajnë nga 6,000-10,000 euro për kalim ilegal të kufirit dhe për ata qytetarë të BE-së që për çfarëdo arsye dhe në çfarëdo forme rrezikojnë jetën e tyre për të ardhur në Kosovë.
Për t’ju garantuar të drejtat tuaja, ne kemi vendosur një sistem shumë të zhvilluar. Mund të ankoheni 24 orë në ditë në Gjykatën mobile për të drejtat e njeriut në Hajkobillë. Nëse mendoni që ankesën tuaj ta dërgoni përmes postës, atëherë ju lutem informohuni me kohë se ku ka lëviz gjykata prej herës së fundit që keni dëgjuar në mënyrë që adresa të jetë e saktë.
Krejt në fund, dëshirojmë t’ju shprehim falënderimet tona për mirëkuptim dhe të ritheksojmë që në çfarëdo kohe dyert tona do të jenë të hapura, përfshirë rastet kur nuk jeni pajisur me vizë. Vetëm se për arsye të ndryshimeve klimatike nuk do të mund të hyni në Kosovë dhe do të quhet shkelje ligjore nëse përdorni transportin ajror, ujor ose tokësor përfshirë të gjitha mjetet motorike ose mjetet tjera rrëshqitëse, me tërheqje apo shtyrje, mjetet primitive apo me rrota.
Këtu bëjnë pjesë edhe përdorimi i ndihmës së tjetrit për t’ju kaluar para duarsh ose në shpinë, apo edhe përdorimi i katapultit, përdorimi i emailit si mjet transporti që mund t’ju sjell si “attachment” apo si tekst në email të thjeshtë, transportimi juaj nga dikush tjetër duke u fshehur në USB apo transportimin tuaj në kopje të fortë.
Për të mos qenë listë e gjatë po e shkurtojmë këtu, por duke nënkuptuar që ndalohen të gjitha ato forma transporti që ne nuk po na kujtohen për momentin e që ju në momentin e leximit të kësaj letre mund t’ju vijnë në mend.
Regjimi i vizave ka hyrë në fuqi me shkrimin e kësaj letre pa patur nevojë ratifikimi nga shtetet e BE-së.
Shnet!
(Autori është qytetar i Kosovës)



































