Kosova pret për herë të parë Asamblenë e Përgjithshme të UIAA-së, me hotelin Dukagjini nikoqir të ngjarjes

Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës (FBNSK) shënon një moment historik, duke pritur për herë të parë në Kosovë Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit dhe Bjeshkatarisë (UIAA).
Ky është rasti i parë që një federatë ndërkombëtare e nivelit më të lartë në fushën e sportit dhe alpinizmit zhvillon asamblenë e saj vjetore në Republikën e Kosovës, duke shënuar një arritje të madhe për sportin, turizmin malor dhe përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.
Ngjarja, që mbahet në Pejë nga 23 deri më 26 tetor 2025, vendos Kosovën në qendër të vëmendjes botërore të komunitetit alpin dhe shënon gjithashtu herën e parë që UIAA organizon Asamblenë e saj në Ballkan.
Hotel Dukagjini do të jetë nikoqir i këtij eventi të rëndësishëm, duke mirëpritur pjesëmarrësit ndërkombëtarë dhe duke ofruar një ambient të përshtatshëm për takimet dhe aktivitetet që do të zhvillohen gjatë asamblesë.

Ky moment simbolizon rritjen dhe profesionalizimin e FBNSK-së dhe besimin që komuniteti ndërkombëtar i alpinizmit ka ndaj Kosovës si vend mikpritës me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e sporteve malore dhe turizmit të qëndrueshëm.
Organizimi i kësaj asambleje përfaqëson një hap të madh për vendin në arenën ndërkombëtare dhe thekson rëndësinë e tij si destinacion për sportet malore dhe turizmin profesional. /Telegrafi/




































