Gjatë viteve të ’90-ta flitej shpesh se në Beograd kishte zëra që kërkonin ndarjen e Kosovës. Kush ia vinte kufirin atdheut tonë në urën e Ibrit në Mitrovicë, kush përfshinte edhe Ana-Moravën, e kush tjetër shkonte deri në Isniq të Deçanit, ngase Serbia interesohej të mbante brenda territorit të vet burimin e Drinit e Bardhë dhe lumenjtë që rrjedhin nga Bjeshkët e Deçanit dhe Pejës.

Natyrisht se Millosheviqit i interesonte ta mbante gjithë Kosovën, sepse eksploatimi çnjerëzor i saj, po ia mbante gjallë pushtetin e tij në Beograd, si dhe luftërat gjakatare në Kroaci e Bosnjë.


Pas përfundimit të luftës së Kosovës, Beogradi zyrtar heshti për disa kohë duke zbatuar pikërisht atë formulën e ndjeshme diplomatike “Koha shëron plagët” dhe nga një shtet kriminel, agresorë e keqbërës, siç konsiderohej në fillim të shekullit të ri, me ndihmën e miqve të vet, dhe falë kujtesës shumë të shkurtër të Evropës, si dhe politikës së pa orientuar dhe grindavece të Prishtinës, filloi të faktorizohet shumë shpejt duke treguar rrolin e vendim-marrësit në Kosovë.

Ka më shumë se dy vjet që Beogradi ka filluar të shtiret si viktimë në rastin e Kosovës, duke shpërfillur tërësisht lëshimet e dhimbshme që Prishtina dhe shqiptarët e Kosovës i bënë me pakon e Ahtisaarit. Kjo shihet në deklaratat e vazhdueshme të presidentit të Serbisë Tadiç, ministrit të tij të Jashtëm Jeremiç, si dhe politikanëve të tjerë serbë kur thonë se; “në politiken ndërkombëtare nuk ndodh që njëra palë t’i fitojë të gjitha, dhe pala tjetër t’i humb të gjitha”.

(Sa për ilustrim ky argument nuk qëndron fare në rastin e Kosovës! Jo vetëm për faktin se Kosova nuk ka marrë sovranitet të plotë dhe menjëherë të njohur ndërkombëtarë, por edhe për faktin se lëshimet e bëra për hir të këtij sovraniteti gjysmak, janë më shumë se gërryese në trupin politik të një shteti, pasi që sovraniteti i Kosovës, ka mbetur i ngatërruar për një kohë të gjatë me Serbinë, nga lidhjet që iu ofrohen komunave kosovare me shumicë serbe. Dhe çështja tjetër. Është pikërisht Serbia ajo që ka përfituar gjithçka madje edhe ma fort se gjithçka, dhe nuk ka humbur asgjë kur është krijuar shtet. Ajo mori përveç fortifikatës së Beogradit, sanxhakut të Smederevës, dhe atij të Shumadisë, edhe troje me shumicë shqiptare në sanxhakun e Nishit, atë të Shkupit dhe madje edhe vilajetin e Manastirit. Kështu që të përdorë sot Serbia një argument të tillë, është edhe turp, por edhe ngucje e drejtpërdrejtë e historisë).

Kështu pra me këtë politikë, Serbia po teston opinionin ndërkombëtar, i cili duket i lodhur nga tejzgjatja e problemit të Kosovës. Këtë politikë un personalisht e kam dëgjuar të shfaqet në një konferencë shkencore në nëntor 2004 kur Vladeta Jankoviç atëherë ambasador i Bashkësisë Shtetërore Serbia Mali i Zi në Londër, bëri një paraqitje në Shkollën e Londrës për Ekonomi.

Si ish këshilltar i lartë politik i kryeministrit të atëhershëm Vojisllav Koshtunica, ambasadori Jankoviç tha pikërisht këtë formulë; “Kosovën do ta njihnim si shtet, vetëm se duam që të mbesim disi të përfshirë në të politikisht. Pra si trofe të zbehtë ta paraqesim para njerëzve tanë Mitrovicën e veriut bashkë me Zveçanin, Leposaviçin, Zubin Potokun dhe Leshakun, si komuna të vogla, në kuadër të një qarku (okrug) në administratën lokale të Serbisë”.

Por kjo nuk ishte e tëra që Jankoviç paraqiti para të pranishmëve! Ai theksoi se marrja e veriut të Kosovës, nuk do të nënkuptonte shkëmbim territoresh me Luginën e Preshevës, sepse; “Shqiptarët e Luginës, do të barazoheshin me Serbët e Kosovës qendrore, dhe Serbia do të vazhdonte të kishte prani politike në Kosovë nëpërmjet tyre”, kurse Lugina e Preshevës do të mbetej e Serbisë pikërisht për këtë fakt, pra pakicë shqiptare në Serbi, dhe pakicë Serbe në Kosovë.

Në kontestin e sotshëm, përkundër dënimit që po i bën Prishtina zyrtare ideve të tilla, një propagandë e tillë serbe ka marrë hapësirë të konsiderueshme politike ndërkombëtare. Këtë e pranoj edhe Rada Trajkoviç para pak ditësh, e cila në një rikonfigurim të ri politik të këtillë në Kosovë, ku Mitrovica e Veriut do të bashkohej me Serbinë dhe Graçanica do të bëhej epiqendra politike serbe në Kosovë, sigurisht se e shikon veten në pozitë shumë të ngritur.

Për ta forcuar më shumë këtë fakt duhet t’ia hedhim sytë skenës politike serbe në Kosovë. Të gjitha ato parti politike serbe në Kosovë janë me zyrat e tyre dhe mbështetjen e tyre në Graçanicë, Partesh apo Shtërpcë (Ulzishtë) ndërsa partitë politike nga Serbia i kanë degët e tyre në Mitrovicë, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Leshak.

Edhe në zgjedhjet e së dielës që i mbajti Serbia, në Mitrovicë, konkurruan partitë politike me qendër në Beograd, kurse në Artanë vetëm grupe qytetare serbe. Pra Serbia tashmë e ka përgatitur terrenin për një ndarje të këtillë të Kosovës, neve na mbetet që të luftojmë kundër një ndarje të këtillë mizore, por duhet që të jemi syçelë, dhe të përgatitemi fort nëse njëmend ndodh kjo ndarje. Lugina e Preshevës të mos i lihet si trofe Serbisë, dhe si peng shqiptarëve, sepse atëherë Serbia do të dilte dyfish e fituar.

(Autori është pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe, bashkëpunëtor i Qendrës për Studime të Evropës Lindore në Glasgow, hulumtues shkencor në Universitetin e Varshavës, studiues i brendshëm në Universitetin Newcastle dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)