LAJMI I FUNDIT:

D+: Kosova me mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonal në bujqësi

D+: Kosova me mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonal në bujqësi

Kosova ka mundësi të mira punësimi për punëtorët sezonal në sektorin e bujqësisë, thuhet në raportin e Democracy Plus (D+), prezantuar në konferencën “Mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonal në Kosovë”.

Aty është theksuar se në bazën ligjore mungon definimi i punëtorëve sezonal, si dhe rregullimi i statusit të kësaj kategorie në legjislacion. Gjithashtu, mungojnë të dhënat rreth numrit të tyre që angazhohen gjatë vitit në sektorin e bujqësisë.


“Vende pune të drejta, mjedis më të mirë biznesi dhe rritje e të ardhurave nga taksat për të mirën publike – Gjermania mbështet përpjekjet ambicioze të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të trajtuar çështjen e ekonomisë joformale. Formalizimi dhe ulja e papunësisë do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe sigurimit social të qytetarëve, në veçanti të punëtorëve sezonal”, është shprehur zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.

Ndërsa, Leunora Ahmeti nga Ministria e Financave pohoi se në Ligjin e ri të Punës do të parashihet edhe rregullimi i kategorisë së punëtorëve sezonal si dhe krijimi i një regjistri elektronik për regjistrimin e tyre.

Në realizimin e kësaj të fundit edhe përfaqësuesit e Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK) shprehën gatishmërinë për të kontribuar, po ashtu u konstatua se kuadër të Ligjit të ri për Administrimin e Procedurave Tatimore do të kërkohet qe punëdhënësi para se të nënshkruajë kontratën me punëmarrësin do të detyrohet ta regjistrojë atë.

Të pranishmit theksuan nevojën e një fushate sensibilizuese për informimin e bizneseve dhe qytetarëve për rëndësinë e regjistrimit të këtyre punëtorëve. Po ashtu, u konstatua rëndësia e përfshirjes së punëtorëve sezonal në legjislacion si dhe përfshirja e tyre në kontributet pensionale dhe sigurimet shëndetësore. /Telegrafi/