Kosova mposhtet thellë nga Franca

Hendbollistet e Kosovës kanë përjetuar një fillim të vështirë në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026, duke u mund thellë nga Franca, kampionia aktuale e botës.
Ndeshja e Grupit 1, e zhvilluar në Nimes të Francës, përfundoi me rezultatin 43:12 në favor të francezeve, të cilat treguan fuqinë dhe përvojën e tyre qysh nga minuta e parë.
Franca, që ka fituar medaljet e artë dhe të argjendtë në Lojërat Olimpike në Tokio dhe Paris, dominoi qysh nga fillimi, duke mbyllur pjesën e parë me 20:5 dhe duke ruajtur epërsinë e thellë gjatë gjithë pjesës së dytë.
Nga Kosova, Merlinda Qorraj ishte më e dalluara, duke realizuar gjashtë gola, gjysma e totalit të skuadrës. Dy gola realizoi Arona Krasniqi, ndërsa Tina Hetemi, Elisa Mulaj, Xhesika Mehmetaj dhe Mirjeta Bytyqi shënuan nga një gol secila.
Te Franca, më së shumti gola realizoi Alicia Toublanc, tetë në total.
Kosova do të luajë ndeshjen e radhës ndaj Kroacisë të dielën në Prishtinë, nga ora 17:15. Në grup janë edhe Finlanda, ndërsa kualifikimi për Evropianin mbetet i mundur edhe nga vendi i tretë, ku Kosova shpreson të kapë shansin e saj. /Telegrafi/


















































