Kosova ka mbyllur stërvitjet e fundit për ndeshjen ndaj Suedisë, që zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

Skuadra ka punuar në detajet e fundit taktike për të shmangur gabimet e evidentuara në ndeshjen e fundit ndaj Zvicrës.


Në konferencë ishin përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda. Foda theksoi përgatitjet taktike dhe mungesën e Rrahmanit, ndërsa Vojvoda u fokusua te motivimi për të marrë pikët ndaj Suedisë.

Përveç kapitenit Amir Rrahmani, i cili nuk është i disponueshëm për shkak të lëndimit, të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm për sfidën.

Kosova pritet të luajë përpara tifozëve të saj dhe të tregojë një paraqitje krejtësisht tjetër ndaj një kundërshtari cilësor si Suedia.

Nesër, përballja do të jetë një mundësi për “Dardanët” që të luftojnë për pikët e plota dhe të mbeten në garë për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026. /Telegrafi/

telegrafi sport app