Kosova ka nevojë për ndryshim, jo vazhdim!
Zgjedhjet e kaluara në Kosovë kishin shumë indikatorë që me të drejtë de-legjitimonin atë që konsiderohet si epilog i suksesshëm i një procesi të rëndësishëm për çdo shoqëri demokratike. Fakti se mbi gjysma e popullsisë nuk kishte dalë fare të votojë, rezultoi me institucione të brishta, të paqëndrueshme dhe me përfaqësues shpesh herë të kontestuar nga individë e grupe të ndryshme shoqërore, të cilat jo rrallë kritikat e tyre i bazonin pikërisht mbi faktin se të zgjedhurit nuk përfaqësonin zërin, e as interesat e gjithë popullsisë së Kosovës. Preteksti i zërave të tillë ishte "sepse mbi gjysma e qytetarëve nuk kishte votuar për ta".
Abstenimi nga votimet është një problem serioz në shoqërinë e Kosovës së pas luftës, kurse reperkusionet e saj janë të mëdha dhe afektojnë jetën e secilit. Së pari, ato zbehin peshën e vendimmarrjes dhe të politikbërjes në vend, ngase mosdalja për të votuar e mbi 50 për qind të popullsisë nuk është aspak inspiruese e as inkurajuese për ata që janë zgjedhur. Pjesëmarrja më e madhe në votime do të ishte një tregues më e saktë për ta pasi, para çdo veprimi, të zgjedhurit do t'i kishin më të qarta orientimet e shumicës, prandaj edhe vendimarrja do të ishte dukshëm me e lehtë sesa që është aktualisht. Së dyti, mungesa e vullnetit të shumicës në proceset e shkuara zgjedhore, në veçanti në zgjedhjet e fundit, ka ndikuar në thellimin e mosbesimit dhe në shtimin e pakënaqësisë së qytetarëve me performancën e liderëve dhe të institucioneve të Kosovës në përgjithësi, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.
Sondazhi i punuar në muajin tetor nga OJQ "Infoglobi" rezultoi me të dhëna shqetësuese. Mbi 50 për qind e të anketuarve deklaruan se janë të kënaqur "pak" me zhvillimet në komunën e tyre, ndërkohë që afro 25 për qind , nuk janë aspak të kënaqur me to. Krahasuar me trendet e dy viteve më parë, vërehet qartë se pakënaqësia dhe mosbesimi në institucione dhe në liderë po rritet prej vitit në vit.
Të dhënat e UNDP-së të publikuara sivjet në tetor shpalojnë trende të ngjashme. Shkalla e kënaqësisë me punën e presidentit ka shënuar rënie prej 23 për qind, ajo e kryeministrit për 24 për qind, kurse në krahasim me një vit më parë pesimizmi politik i kosovarëve shënoi rritje prej 10 për qind. Rreth 46 % ose gati gjysma e popullsisë së Kosovës është e pakënaqur me trendet politike!
A thua janë këta pikërisht shumica e skeptikëve të cilët nuk dolën të votojnë më 2007? Kjo është e pamundur të dihet, sepse përkundër gjendjes tejet shqetësuese rreth pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje, në Kosovë deri më tash ka studime të pamjaftueshme për eksplorimin e abstenimit dhe profilit të abstenuesve.
Studimi i vetëm për sjelljen e votuesve dhe shkaqet e mosdaljes së tyre në votime, është bërë para disa ditësh, kurse rezultatet e tij janë bërë publike vetëm 6 ditë para ditës D. I njëjti shpalos se 43.2 për qind e të anketuarve janë të bindur se vota e tyre nuk ka peshë, pra janë skeptikë ndaj ndikimit që mund të kenë në rrjedhat e ardhshme politike.
Unë besoj se në zgjedhjet e kaluara njëri ndër shkaqet kryesore të mosdaljes së një numri të madh të qytetarëve në votime ishte pikërisht lëkundja e besimit të tyre në atë se çfarë (nuk) kanë bërë apo çfarë u kishin premtuar e nuk e kishin realizuar politikanët dhe partitë në përgjithësi. Fushatat elektorale tanimë janë shndërruar në poligone të garës për premtime.
Kryeministri aktual, i cili para dy vitesh për 'joker' kryesor kishte premtimin (e parealizuar në 80 për qind të Kosovës) "24 orë rrymë në ditë", gjatë 20 ditëve të fundit u premtoi investime që kapin shumën mbi 1 miliardë euro, banorëve të komunave që do të votojnë partinë e tij! Së pari, ai kishte "harruar" se Kosova po ndërton demokraci e jo autokraci, përkatësisht kishte "harruar" se për buxhetin, për paratë tuaja - të qytetarëve të Kosovës, kryeministri nuk është ai që ka kompetenca vendimmarrjeje, por është Kuvendi ai që vendos.
Së dyti, kryeministri i Kosovës kishte "harruar" edhe parimin thelbësor - atë të jo diskriminimit, prandaj ndau elektoratin në dysh, duke përçuar qartë mesazhin diskriminues se "Unë (kryeministri i Kosovës) do të mbështes (vetëm) komunat që votojnë kandidatin e PDK-së" ! Po e lëmë mënjanë, kalkulimin e thjeshtë matematikor që mund ta bëj secili nga ju, për të parë se sa janë të realizueshme premtimet e shifrave kaq marramendëse, të cilat janë gati sa buxheti një vjeçar i Kosovës, por që kryeministri ia premton 5 apo 6 komunave të saj.
Fyerje e përçmime të ngjashme janë dëgjuar edhe në të kaluarën, dhe thuaja si rregull i pashkruar, vetëm gjatë fushatave elektorale, prandaj nuk do të befasohesha nëse ndonjë studim apo hulumtim do të nxjerrë në shesh konstatimin se sjelljet e tilla nuk janë aspak stimuluese për shtimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset demokratike, e në veçanti të rinisë, e cila tash e sa vite i është lënë vetvetes, e as gjinisë femërore perspektiva e të cilës është gjithnjë më e errët. Përkundrazi, sjelljet e tilla janë irrituese dhe përjashtuese.
Shtrirja e papenguar e varfërisë dhe e papunësisë, pastaj mungesa e investimeve të huaja, shtrirja e korrupsionit, infrastruktura e varfër ujore, rrugore dhe problemet në komunikacion janë çështje të pazgjidhura që karakterizojnë dhjetëvjeçarin që po e lëmë pas. Nuk do mend, ato po prekin thellë në dinjitetin e shumicës së kosovarëve. Zvarritja e gjetjes së zgjidhjeve, varfërimi i popullatës dhe pasurimi i shpejtë i një numri "pjesëtarësh" të elitave politike mund të jenë arsye të tjera që po vrasin shpresat e qindra mijëra të rinjve, se Kosova mund të zhvillohet dhe se brenda afro 11 mijë kilometrave katrorë të saj, për ta do të hapen dyert për një jetë të dinjitetshme e ardhmëri të ndritur. Të gjitha këto po ngulfasin zhvillimin dhe dëshirat e mundësitë e njerëzve. Të gjitha këto po përsëriten në vazhdimësi, si një refren kënge në kasetofonin e prishur, që nga zgjedhjet e para të pas luftës e deri më sot. Rrethanat e krijuara vijnë pjesërisht nga mungesa e vizionit, lidershipit dhe e menaxhimit adekuat të institucioneve. Pyetja është a kemi alternativë të dalim nga kjo amulli?
Unë jam e bindur se po. Fundja si ligjvënëse e Kuvendit të Kosovës, mendoj se nuk është obligim i imi të mendoj vetëm për vitet e mandatit tim prej deputeteje, por është obligim imi të sheshoj mirë të gjitha veprimet, duke përfshirë këtu edhe atë se si afektohen nga veprimet dhe vendimet e mija sot, gjeneratat dhe brezat e ardhshëm nesër. Unë jam e bindur se me 15 nëntor, mosdalja eventuale në vendvotime e qytetarëve të Kosovës do ta dëmtojë rëndë ardhmërinë e tyre. Do të afektojë edhe brezat tonë të ardhshëm. Mosdalja do të linte peng zhvillimin e Kosovës dhe të komunave të saj edhe për një afat katërvjeçar. E, katër vjet janë jo vetëm bllokim i zhvillimit, por edhe humbje e shumë mundësive për ta ndryshuar të ardhmen tonë.
Po përmend këtu vetëm një rast. Lideri i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, më 2002 kishte shprehur gatishmërinë që të investojë në Fushë-Kosovë rreth 120 milionë euro. Kompania e tij MABETEX kishte filluar punimet në ndërtimin e një qendre tregtare, rekreative dhe sportive e cila sot do të ishte më e madhja në Ballkan. Në vend që një akt i tillë të përshëndetej, komuna e Prishtinës merr vendimin për ndalimin e punimeve. Me këtë rast jo vetëm që u ndalua zhvillimi i kësaj komune, jo vetëm që u stopua investimi, por 2000 veta humbën mundësinë që të punësohen! Qindra familje humbën rastin të dalin nga varfëria e skajshme në të cilën jetojnë.
Rasti i sipërpërmendur është vetëm njëri nga episodet eklatante që dëshmojnë se sa janë të interesuara institucionet e komunës së Prishtinës të nxisin zhvillimin dhe investimet private. Kjo është pasqyra më e mirë që nxjerr në shesh, thënë me fjalët më të buta, jo-efikasitetin e pushteti lokal ekzistues në Prishtinë. E, motoja e fushatës elektorale të kësaj konjukture politike, siç e keni parë edhe ju, është "Ne vazhdojmë..." Personalisht nuk do dëshiroja të shoh edhe në katër vitet e ardhshme bllokimin e investimeve dhe shkurtimin e mundësive për zbutjen e papunësisë dhe të varfërisë. Kosovës, e në veçanti Prishtinës, i nevojiten ndryshime e jo vazhdime. Prishtina ka nevojë për punë. Prishtina ka nevojë për zhvillim.
Prishtina ka nevojë për menaxherë të suksesshëm si kandidati i AKR-së, Vegim Gashi. Magjistri i shkencave te elektroteknikës vjen nga fusha e zhvillimit, pas një menaxhimi shumë të suksesshëm të kompanisë së tij që është lider rajonal në teknologjinë e informacionit të menaxhimit të biznesit. Vegim Gashi i nevojitet Prishtinës, ashtu sic i nevojitet Mimoza Kusari-Lila Gjakovës, ose Ramadan Basha Kamenicës e Elmi Berisha Pejës. Të gjithë këta kandidatë kanë background të pasur profesional, rezultate të prekshme në fushat në të cilat kanë punuar, e mbi të gjitha, kanë një emërtues të përbashkët që quhet ndershmëri. Janë punëtorë, të aftë, plot energji, të palodhshëm dhe pragmatikë.
Njerëz të tillë i nevojiten Kosovës, por të tillët nuk do t'ia dalin mbanë nëse të rinjtë, gratë, pensionistët, arsimtarët, rrinë mënjanë; nëse, këtë të diel nuk ngrihen herët në mëngjes dhe bashkë me anëtarët e familjeve të tyre nuk nisen drejt vendvotimeve që i presin.
Do të ishte gabim i rëndë për të gjithë ne, nëse votohen njerëz të cilët patën rastin të sprovohen, e që na zhgënjyen. Kosovarët tanimë kanë mbërri shkallën e ndërgjegjes që të kuptojnë drejtë sa jetike për të gjithë ne është zëvendësimi i individëve të cilët për dhjetë vite rresht në fokus kishin interesat personale, me njerëz të punës dhe me njerëz të zhvillimit. Vetëm këta të fundit mund të lëvizin Kosovën përpara. Por, këta të fundit, si Gashi, Kusari-Lila, Basha, Berisha, e të tjerë, nuk do të mund bëjnë asgjë pa zërin e arsyes, pa rininë e cila e ëndërron ndryshimin dhe pret krijimin e mundësive më të mira për të gjithë. Koha është të vihen në sprovë breza të ri politikanësh, njerëz që do të përqendrohen në zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Këtu nuk është çështja a është dikush për LDK, PDK apo është kundër tyre; për apo kundër kryeministrit Thaçi apo presidentit Sejdiu. Çështja është si mund ta fitojmë demokracinë dhe si mund ta ndërtojmë një Kosovë të re pa ngarkesat e energjive negative që mund të na shmangin nga rruga e zhvillimit. Përmes votës, ju jeni ata që do të trasoni një rrugë të re për Kosovën, për ju, për fëmijët tuaj dhe brezat që vijnë pas nesh. A do të lejoni që të përsëriten dështimet e deritashme, që të mbushen koti xhepat e një pakice e shumica të mbetet në varfëri? S'do mend se jo. Duam të shohim institucione stabile, institucione të pakorruptuara dhe institucione që në qendër të politikave të tyre kanë njeriun dhe interesat e tij. Ne jemi këtu që të mbesim, e jo të sjellim vendin buzë kolapsit dhe t'i detyrojmë qytetarët të mos zgjedhin mjete dhe shpesh të marrin edhe rrugë të rrezikshme në përpjekje për të gjetur zgjidhje për hallet e tyre. Nën mandatin e AKR-së, "Tisa" nuk do të përsëritet, sepse Kosova do të jetë vend i mundësive, vend nga i cili njerëzit nuk do të shikojnë me ikë.
Për arsyet e sipërpërmendura dhe për shumë arsye tjera që nuk do të doja t'i rreshtoja këtu, unë po ftoj të gjithë bashkëqytetarët e mi, gratë, nënat dhe motrat. Po ndjehem e lirë të ftoj moshatarët e mi dhe rininë në përgjithësi që të ngrihen në mëngjesin e 15 nëntorit dhe dëshmojnë se duan një Kosovë ndryshe, se duan një Prishtinë me një vazhdim tjetër, një Pejë, Mitrovicë e Kamenicë me perspektivë bashkëkohore, një Gjakovë të zhvilluar.
Ne nuk kemi deklaruar asgjë që nuk mund të arrihet dhe e gjithë ajo që kërkojmë është që njerëzit të marrin fatin në duart e tyre me mjetin më demokratik, me një votë të përgjegjshme dhe të menduar mirë. Pjesëmarrja juaj në votime për Kosovën do të thotë fitore e demokracisë. Unë do t'i rekomandoja secilit: jipini rastin ofertave politike alternative dhe brezit të ri të politikanëve, të cilët janë dëshmuar deri më tash në cdo segment te jetës dhe veprimit.
(Autorja është deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës)



































