Kosova ka nevojë për diplomaci ekonomike
Fjala Diplomaci sot është bëre pjesë e jetës sonë të përditshme, diplomacia në kuptimin e ngushtë të fjalës është menaxhimi i politikës së jashtme të shtetit nëpërmjet marrëdhënieve zyrtare me vendet e tjera, ndërsa në kuptimin më të gjerë arritje dhe harmonizim i interesave të shtetit për të lidhur marrëveshje dhe kontrata me vendet tjera. Në rrethanat e një bote të globalizuar, duket se diplomacia ka marrë një peshë të veçantë në aspektin ekonomik, gjë që ka çuar deri te profilizimi i saj si diplomaci ekonomike.
Çfarë është diplomacia ekonomike?
Diplomacia ekonomike është një përzierje e diplomacisë klasike, e cila konsiderohet zakonisht si diplomaci në sferën politike, ekonomike, menaxhim të suksesshëm, në marrëdhëniet me publikun, dhe me shumë disiplina të tjera profesionale që përshtaten në mënyrë të veçantë duke i dhënë dimensionin ekonomik diplomacisë. Kështu, diplomacia ka marrë një dimension relevant – të jetë bartëse e komunikimeve ekonomike.
Nga kjo rrjedhë se funksioni kryesor i misioneve në vende të huaja është mbajtja e bisedimeve të vazhdueshme me vendin ku ato ndodhen, me një interes të veçantë në aspektin ekonomik. Në këtë kuptim edhe, diplomacia Kosovare duhet te angazhohet në hulumtimin e partnerëve të mundshëm për biznes, pjesëmarrje intensive mbi çështje të veçanta për privatizimin dhe investimet në përgjithësi, derisa përfaqësuesit e ministrive të caktuara të shtetit të arrijnë nënshkrimin e kontratave finale.
Kosova si vend në transicion, përveç qeverisë që promovon interesat ekonomike, duhet që në të gjitha ambasadat e saj të ketë departamentin që merret me çështjet ekonomike në mënyre që vendet e interesuara për investime të mos shpenzojnë duke dërguar ekipe të tëra ekspertesh në vend që të njihen me mundësitë që ofron Kosova, por ato t’i kryejnë përfaqësitë tona diplomatike të vendosura në shtete të ndryshme.
Për këtë është e nevojshme që nga Ministria e Punëve të Jashtme të mos zgjidhen njerëz partiak të cilët mund të jenë amatorë në këto fusha, por duhet të zgjidhen profesionistë të marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, të cilët do të kontribuonin në arritjen e rezultateve, ose të angazhojë ndonjë kompani të specializuar në këtë fushë siç është Geoffrey Ferster Associates, Statfor, NEC etj.
Po kështu, prej stafit tonë diplomatik të vendosur në botën e jashtme duhet shumë punë serioze e cilësore, profesionalizëm dhe angazhim i vazhdueshëm që të jenë në gjendje të ofrojnë mbrojtje të denjë të interesave të vendit e të shtetasve tanë në diasporë në çdo kohë.
Deri më sot për politikën e jashtme të Kosovës të dhëna mund të gjenden vetëm ne ueb-faqen zyrtare të MPJ-së,kurse asnjë nga ambasadat e Kosovës nuk ka të paktën një uebfaqe ku shtetasit e Kosovës apo investitorë të mundshëm do të mund të njoftoheshin për shërbimet që ofrojnë ambasadat tona jashtë shtetit apo mënyrën e investimeve në Kosovë.
Shembuj të suksesshëm se si funksionon diplomacia ekonomike janë të pafund, një shembull i veçantë i diplomacisë ekonomike është kryeministri turk Erdogan, i cili në çdo vizitë jashtë shtetit është i shoqëruar nga biznesmenë turq me ofertat konkrete për investitorët e huaj,e që me këto lëvizje inteligjente ka arritur ta rikthejë Turqinë në një vend me rritje ekonomike më të madhe se disa shtete të reja të BE-së.
Edhe Bullgaria dhe Rumania janë shembuj në orientimin e tyre për diplomacinë ekonomike. Këto vende, kur kishin pengesa nga Anglia dhe Holanda për hyrje ne BE, lejuan që kompanitë e këtyre vendeve, me përfitime minimale – për këto vende apo për kompanitë? -të futen në tregun e tyre dhe problemi ishte zgjidhur: u hoqën pengesat.
Diplomacia e re kosovare sot ballafaqohet me dy sfida të mëdha: lobimin për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës, dhe lobimin e natyrës ekonomike në një globalizim përherë e më dinamik që të afirmohet potenciali ekonomik i Kosovës dhe të atrahohen investitorët e jashtëm – si kusht që vendi ynë të hyjë në një zhvillim të përshpejtuar ekonomik.
Që të përmbushë misionin e vet të madh diplomacia kosovare, duhet të ketë një përfshirje profesionale të të gjithë aktorëve si nga qeveria ashtu edhe nga shoqëria civile, ashtu që te krijohet një imazh i mirë dhe modern i shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës.
(Autori vazhdon studimet master për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Kolegjin Victory)



































