LAJMI I FUNDIT:

Kosova ka 187 mijë hektarë tokë të punueshme

Kosova ka 187 mijë hektarë tokë të punueshme

Gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2017 ishte 416,072.33 hektarë, prej tyre 52.5 për qind janë livadhe dhe kullosa apo 218,314.30 hektarë, ndërsa tokë e punueshme (ara) ishin 186,954.16 hektarë. Kështu thuhet në raportin “Disa Fakte mbi Mjedisin”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas Agjencisë, vendi ynë ka rreth 465 mijë hektarë sipërfaqe pyjore.


“Te treguesit e pylltarisë, gjithsej sipërfaqja pyjore është 464,800 hektarë ose 42 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të Kosovës. Pyjet gjetherënëse përfaqësojnë 90 për qind të pyjeve të Kosovës dhe janë të dominuara nga dushqet dhe ahu. Kurse, pyjet halore mbulojnë rreth 7 për qind të pyjeve dhe janë të dominuar nga pisha, bredhi dhe hermoqi”, thuhet në njoftimin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

ASK thotë se Sasia e thëngjillit në dispozicion për vitin 2017 ishte 1,447.85 ton, derisa në tremujorin e katërt të vitit 2018, prodhimi i thëngjillit ka qenë 1,928.4 ton.

“Te treguesit e transportit hekurudhor, në vitin 2017 numri i pasagjerëve ka qenë 156 mijë, numri i fluturimeve nga Aeroporti i Prishtinës në tremujorin e parë të 2018-së ishte 1,560 ose 13.70 për qind më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar”, vijon njoftimi.

Ky publikim jep informacion rreth treguesve ekonomiko-socialë, treguesve të energjisë, të bujqësisë dhe pylltarisë, të transportit hekurudhorë dhe treguesve të ajrit. /Telegrafi/