Mbrojtësi kosovar, Leard Sadriu, po shkëlqen te Arges Pitești në Superligën rumune. Qendërmbrojtësi 24-vjeçar ka bërë një sezon të spikatur, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës me 20 paraqitje dhe 3 gola gjatë vjeshtës.

Sadriu ka nisur karrierën e tij si i ri te Ferizaj, më pas luajti për Shkëndijën e Tetovës dhe Skënderbeun e Korçës, ndërsa tre vitet e fundit i kaloi te Mura në Slloveni, përpara se të transferohej në Rumani.


Në një intervistë për gazetën rumune Gazeta Sporturilor, Sadriu foli për përvojën e tij në kampionatin rumun, adaptimin në qytetin e Piteștit dhe marrëdhënien me tifozët. Ai tregoi se është pritur shumë mirë në klub.

“Tek Argesi jam pritur shumë mirë, me duar të hapura nga të gjithë. Kam punuar mirë gjatë kësaj periudhe dhe shpresoj të vazhdoj njëjtë në pjesën e dytë të kampionatit”, tha ai.

Sadriu vlerëson kampionatin rumun si një mundësi të madhe për zhvillim dhe hapjen e dyerve drejt ligave më të mëdha. Ai theksoi se aktualisht është i fokusuar të përfundojë sezonin me sukses te Argesi, ndërsa çdo vendim për të ardhmen do të varet nga rrethanat.

“Ka pasur interesim nga skuadra të tjera, por tani e kam mendjen vetëm te Argesi dhe dua të jap maksimumin për klubin”, shtoi ai.

Mbrojtësi kosovar tregoi gjithashtu se ndihet shumë mirë në Rumani. “Ky vend më pëlqen shumë. Njerëzit janë shumë të respektueshëm. Respektojnë punën tënde dhe atë se kush je, jo prej nga vjen. Kjo është shumë e rëndësishme për mua,” tha ai.

Një nga temat më të ndjeshme që Sadriu trajtoi ishte sjellja e disa grupeve huliganësh rumunë, të njohur si “Uniti Sub Tricolor”, të cilët kanë shpalosur mesazhe si “Kosova është Serbi” gjatë ndeshjeve të ekipit kombëtar.

“Kjo është më shumë për politikë dhe nuk dua të futem në atë pjesë. Ne jemi shtet. Për këtë luajmë dhe prezantojmë vendin tonë. Nuk kemi emër tjetër. Ne jemi Kosova. Kemi flamurin tonë, historinë, identitetin tonë. Jemi vend i pranuar nga FIFA dhe UEFA. Nëse nuk jeni shtet, nuk mund të jeni pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s. Nëse vini në vendin tonë e shihni që kemi identitetin tonë. Që ekzistojmë. Unë e di se kush jemi, e di se kemi identitet. Ky është realiteti”, tha Sadriu.

Ai foli gjithashtu për sfidat që ka hasur në fillim të karrierës, duke kujtuar se si familja e tij punonte fort për të mbështetur ëndrrën e tij në futboll dhe si e kaloi fëmijërinë në një Kosovë që sapo po rikthehej pas luftës.

Sadriu nuk e përjashton mundësinë që Kosova dhe Rumania të takohen në finale të play-offit për kualifikim në Kampionatin Botërorin e këtij viti.

Kosova do të luajë me Sllovakinë, ndërsa Rumania me Turqinë, duke lënë të hapur një sfidë të mundshme historike për të dy vendet. /Telegrafi/

telegrafi sport app