LAJMI I FUNDIT:

Kosova drejt hapave integrues

Shteti më i ri i botës, pas shpalljes së Pavarësisë priti me shumë kënaqësi arritjen historike të radhës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi me shumicë votash, që Pavarësia e Shtetit të Kosovës është në përputhje të plotë me rregullat e ligjet e drejtësisë evropiane, duke i dhënë kështu goditjen e radhës planeve dhe iluzioneve të diplomacisë serbe për të aneksuar pranë saj qoftë edhe ndonjë pëllëmbë toke nga atdheu ynë i dashur. Kosova është e pavarur dhe pavarësia e saj është konfirmuar kudo, e tashmë pritet veçse njohja në një masë të madhe nga faktori ndërkombëtar, ku përveç shumë e shumë shteteve mbeten edhe shumë të tjera që do ta njohin këtë shtet të ri e sovran, i cili me drejtësinë e vendosur nga GJND-ja përfundimisht krijon një klimë stabilizuese në rajonin e Ballkanit.

Tashmë Republikës së Kosovës, pas këtij vendimi historik të GJND-së, nuk mbetet gjë tjetër veçse të ndjek dispozitat dhe këshillat e perëndimorëve për hapat dhe ecurinë integruese të saj në strukturat euro-atlantike, ku sot një pjesë tjetër e kombit shqipfolës, pikërisht Rep. e Shqipërisë i ka kaluar si faza zhvillimi të saj. Bashkimi i këtyre dy shteteve do mund të ndodhë në ecurinë e tyre drejt hapave integruese, drejt BE-së si dy vende anëtare me të drejta të plota përkrah vendeve të tjera evropiane. Kjo ëndërr do mundet të bëhet realitet, tashmë që edhe optimizmi dhe fryma bashkëpunuese, pas vendimit të GJND-së, është shumë e gëzueshme dhe konfirmuese e një të ardhme të sigurt të faktorit shqiptar drejt atij ndërkombëtar.


Gjermania dhe shumë shtete të tjera që kanë në përbërjen e tyre edhe emigrantë shqiptar, e veçmas atyre kosovar kanë lëvizur më entuziast në rrugët e qendrave të populluara, pasi lajmi për vendimin pro Pavarësisë së shtetit të tyre amë, Kosovës i ka gëzuar ata jashtë mase. Në Mynih të Gjermanisë në disa klube janë bashkuar mjaft shqiptar duke festuar nën brohoritjet dhe valëvitjet e flamujve kuq e zi deri në ditët e para të mëngjesit për këtë vendim të GJND-së, i cili edhe pse i pritshëm, ka krijuar një klimë të favorshme dhe mirëbesuese kundrejt reformave që po ndërmerr Kosova dhe së drejtës së saj për të qenë një shtet i lirë, ku qytetarët e saj kanë të drejta të plota që të jenë përkrah vëllezërve e motrave të Republikës së Shqipërisë në fazat më integruese ku këto të fundit kanë kaluar.

Diplomacia e shtetit të Kosovës lipset të tregohet e matur dhe objektive, në mënyrë që këtë vendim pro pavarësisë së shtetit të tyre ta trajtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, me qetësi e pjekuri politike me qëllim që të bëhet e mundur edhe në ditët në vijim të kemi njohje të reja të shtetit më të ri të Evropës, që ka vendosur kufijtë e duhur dhe real në Ballkanin e “trazuar” dhe i cili nuk besoj të jetë më i tillë pas këtij vendimi në favor të Kosovës. Ky shtet i ri ka vendosur edhe një dorë të hekurt të shkruar me penela shumëngjyrësh në librin e historisë botërore, pasi ka dëshmuar që të drejtat sado vonë të një shteti, një populli, një kombi do dalin në dritë, në shesh. Ky popull luftoi me mish e me shpirt për të bërë të mundur ëndrrën e kahershme për pavarësi e vetëvendosje, e tashmë që GJND-ja e konfirmoi në përputhje të plotë me rregullat e saj evropiane, kjo është edhe arritja e dytë historike për këtë shtet brenda pak vitesh.

Celula të ndryshme “proserbe” do përpiqen që të injorojnë vendimin që dha GJND-ja në favor të Shtetit të Republikës së Kosovës, por me daljen në skenë edhe të SHBA-së një gjë e tillë do jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur. SHBA-të kanë dhënë dhe po japin një kontribut të çmuar në shumë e shumë çështje shqiptare, e veçanërisht për Kosovën tonë të dashur. Pavarësia e saj dhe zemërgjerësia e shtetit amerikan do injorojë edhe tentativat e fundit të ëndrrës së Millosheviçit që “Kosova është Serbi”. JO dhe JO. KOSOVA është e PAVARUR. KOSOVA është e LIRË, SOVRANE dhe DEMOKRATIKE. Ky shtet tashmë ka vetëm një objektiv të qartë e madhor, marshimin përpara për të arritur sa më shpejt drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Fundi i interesimit serb për çështjen e Kosovës po vjen drejt frymëmarrjes së fundit. Edhe pse z.Ramush Haradinaj do shkojë përsëri për rigjykim në Gjykatën e Hagës vendimi përsëri do jetë i njëjtë, kështu që elitën e politikës kosovare asnjë celulë anarkiste me qëllim destabilizimin e Ballkanit duke sulmuar klasën politike të Kosovës nuk do ia arrijë. Sulmet e Beogradit tashmë do jenë të fundit, pasi pas vendimit pro pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të jeni të sigurt që do vijojë me vendimin tjetër në favor të Shtetit të Kosovës për të lënë të lirë ish-kryeministrin e saj z.Haradinaj dhe kështu elita politike kosovare duhet të unifikohet si një trup i vetëm që të arrijë objektivat që i ka vënë vetes, duke arritur sa më shpejt drejt integrimit evropian.