LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Serbia ‘tregtojnë’ akuza ndërsa kolonat në Merdar vazhdojnë

Kosova dhe Serbia ‘tregtojnë’ akuza ndërsa kolonat në Merdar vazhdojnë

Dogana e Kosovës i kundërshton pretendimet e autoriteteve të Serbisë, se është duke shkaktuar kolona të kamionëve me mallra në pikën kufitare në Merdar.

Kolona prej kilometrash në anën serbe të kufirit kanë nisur të bëhen prej se Kosova ka hequr pjesërisht ndalesën e importit të mallrave nga Serbia më 7 tetor.

Kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë se autoritetet e Kosovës janë duke bërë gjithçka të mundur “për ta vështirësuar importin e mallrave serbe”.


Ngjashëm, Oda Ekonomike e Serbisë ka thënë se Dogana e Kosovës është duke punuar ngadalë, me “urdhër të autoriteteve në Prishtinë”.

Për zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, këto pretendime nuk qëndrojnë, sepse janë autoritetet e Serbisë ato, të cilat që nga 12 tetori i kanë bashkuar të gjitha dërgesat në një korsi – si ato që kalojnë transit nëpër Kosovë, ashtu edhe ato që kanë destinacion tregun e Kosovës.

“Fillimisht ka pasur shumë pak kolona në hyrje. Por, pasi autoritetet e Serbisë, më 12 tetor, i kanë përzier kolonat e transitit nga vendet e treta me mallrat e eksportuara nga Serbia, gjendja është vështirësuar. Procesimi i dërgesave të këtyre dy kategorive më herët është bërë ndaras”, thotë Stavileci.

Ai shton se për përpunimin më efikas të dërgesave, autoritetet e Kosovës kanë katërfishuar kapacitetet për kontrollin e mallrave, por pranon se procesi shkon më ngadalë, për shkak të bashkimit të të gjitha dërgesave në një hyrje.

“Përveç shtimit të kapaciteteve, janë përfshirë edhe njësi të specializuara të kontrollit, si dhe qen nuhatës nga Dogana dhe nga Policia e Kosovës, me qëllim që procedimi të bëhet sa më shpejt, por pa cenuar aspektin e sigurisë”, thotë Stavileci.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar deklaratat e autoriteteve të Kosovës se në Merdar janë bashkuar të gjitha korsitë në një dhe se kjo po shkakton kolona.

Megjithatë, Aleksandar Radovanoviq, kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Rajonal i Odës Ekonomike të Serbisë, insiston se Dogana e Kosovës është përgjegjëse për situatën.

Sipas tij, ajo punon ngadalë dhe që nga e mërkura, në orën 20:00, asnjë kamion nuk ka hyrë nga Serbia në Kosovë.

“Pala e Kosovës dikton ritmin se sa kamionë hyjnë në Kosovë nga Serbia”, thotë ai.

Radovanoviq shton se dy korsitë në anën serbe të Merdarit, bashkohen në një vetëm disa metra larg kufirit, për shkak të infrastrukturës rrugore.

“Ju e dini konfigurimin atje, nuk mund të jetë ndryshe. Dy korsi mund të jenë të hapura deri në 40, 50 metra, por pastaj jo. Autostrada mbetet pas, ajo nuk është rrugë e zgjeruar”, thotë Radovanoviq.

Sipas tij, autoritetet e Kosovës, që nga 7 tetori, lejojnë importin e lëndëve të para vetëm përmes Merdarit – gjë që nuk ka qenë kështu më herët, pasi ato kanë hyrë përmes të gjitha pikave kufitare – dhe kjo kontribuon në tollovitë shtesë.

Këtë e ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë edhe transportuesi Sadri Selimi, i cili importon grurë nga Serbia në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë pyeti në Qeverinë e Kosovës nëse është duke u biseduar për ndonjë zgjidhje të kësaj çështjeje, por nuk mori përgjigje.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar importin e mallrave të Serbisë, përveç lëndës së parë, në verë të vitit të kaluar, për shkak të arrestimit të tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe.

Ndërkohë që policët janë liruar, ndalesa e mallrave ka vazhduar deri në javën e parë të këtij muaji.

Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e ka zëvendësuar atë me një vendim të ri, që e lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdar dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.

Në vendkalimet e tjera është paralajmëruar se do të lejohet importi vetëm kur të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.

“Bizneset prodhuese po humbin partnerë ndërkombëtarë”

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se bllokimi për disa ditë i dërgesave në kufi, i ka revoltuar transportuesit nga Kosova.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se biznese të shumta prodhuese dhe transportuese kanë shprehur shqetësim në këtë odë për vonesat në sigurimin e lëndës së parë, por edhe për rritjen e shpenzimeve financiare.

Ai thotë se ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës që hyrja e lëndës së parë të lejohet edhe në pikat tjera kufitare, përveç Merdarit, por ende pa përgjigje.

“Mosarritja në kohë e lëndës së parë dhe gjysmëproduktit për të prodhuar produktin final në Kosovë, ka krijuar vështirësi jo vetëm brenda tregut, por edhe ndaj klientëve të jashtëm që i kanë bizneset prodhuese këtu. Ato nuk po arrijnë me kohë ta furnizojnë me prodhime kosovare blerësin e jashtëm, me të cilin kanë marrëveshje”, thotë Rafuna.

Problem tjetër që paraqesin tollovitë në kufi, sipas tij, është edhe rritja e shpenzimeve financiare për kompanitë.

“Kompanitë transportuese vendore, por edhe të huaja, refuzojnë të shkojnë në shtete tjera për t’u ngarkuar me mallra për tregun e Kosovës, për shkak se duhet të presin dy ose tri ditë në pikën kufitare në Merdare. Kjo e rrit edhe koston, sepse biznesi paguan qiranë e maunës për çdo ditë, paguan mëditjen, udhëtimin dhe fjetjen e vozitësit. Kjo është kosto shtesë dhe askush nuk po e kalkulon”, thotë Rafuna.

Kosova importon shumicën e produkteve nga vendet e rajonit dhe më gjerë. Mbi 5.9 miliardë euro ka qenë vlera e importit vitin e kaluar, ndërsa e eksportit mbi 863 milionë.

Prej vitesh, produktet nga Serbia janë ndër më dominueset në tregun kosovar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej mbi 372 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 kjo vlerë ka qenë gati 199 milionë euro. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Kurti i shpreh ngushëllime familjes Thaçi: I ndjeri do të kujtohet për urtësinë e tij, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin

Kurti i shpreh ngushëllime familjes Thaçi: I ndjeri do të kujtohet për urtësinë e tij, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin

Lajme
I plagosuri nga grabitja e armatosur në Prishtinë është në gjendje të rëndë

I plagosuri nga grabitja e armatosur në Prishtinë është në gjendje të rëndë

Lajme
I dyshuar për zjarrin në Koçan, por ai thotë se është hero pasi ka shpëtuar 200 të rinj

I dyshuar për zjarrin në Koçan, por ai thotë se është hero pasi ka shpëtuar 200 të rinj

Kronikë e Zezë
Sorensen: Qëllimi është shtyrja përpara e dialogut, kompromiset janë në dorën e palëve

Sorensen: Qëllimi është shtyrja përpara e dialogut, kompromiset janë në dorën e palëve

Lajme
Grabitje e armatosur në parkingun e një qendre tregtare në Prishtinë, plagoset një person

Grabitje e armatosur në parkingun e një qendre tregtare në Prishtinë, plagoset një person

Kronika e Zezë
Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, PDK dorëzon tri ankesa në PZAP

Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, PDK dorëzon tri ankesa në PZAP

Lajme
Kalo në kategori