LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Hungaria synojnë rritjen e shkëmbimit tregtar

Kosova dhe Hungaria synojnë rritjen e shkëmbimit tregtar

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim të ndarë ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ekonomik, me fokus të veçantë në nxitjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve dhe atë të tregut të përbashkët të BE-së.

Pacolli ka shprehur gatishmërinë që Hungaria të jetë edhe më e pranishme në tregun kosovar, me synimin që të krijohen mundësi edhe për palën kosovare dhe veç kësaj të shikohen mundësitë e krijimit të partneriteteve të reja në mes dy vendeve në funksion të arritjes së këtij qëllimi.


Po ashtu, Pacolli e ka vlerësuar mbështetjen e Hungarisë me kredinë e butë që i ka dhënë Kosovës dhe e cila synohet të investohet në projekte mjedisore.

Një falënderim i veçantë ndaj ambasadorit hungarez është bërë edhe për mbështetjen hungareze me 50 bursa për studentë kosovarë që studiojnë në universitete të këtij vendi.

Ambasadori hungarez e ka informuar zëvendëskryeministrin e parë Pacolli edhe për takimin e Ministrave të Jashtëm të Grupit të Vishegradit, që pritet të mbahet në Budapest. /Telegrafi/