LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Emiratet e Bashkuara me marrëveshje të përbashkët në fushën e financave

Kosova dhe Emiratet e Bashkuara me marrëveshje të përbashkët në fushën e financave

Ministri i Financave, Bedri Hamza së bashku me ministrin e Shtetit për Çështje Financiare, Obaid bin Humaid Al Tayer të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit ndërmjet ministrive të financave të dy vendeve.

Gjatë takimit, Hamza ka falënderuar Emiratet e Bashkuara për ndihmën e dhënë popullit të Kosovës, që nga paslufta e deri më sot. Me këtë rast u diskutua lidhur me mundësitë e investimit që ofron Kosova. Ai ka njoftuar ministrin Al Tayer për potencialin që ka Kosova si dhe ambientin ligjor shumë të favorshëm për investime.


Ndërsa, Al Tayer ka përgëzuar Kosovën lidhur me stabilitetin makrofiskal, borxhin e ulët shtetëror, mbajtjen e një sistemi tatimor të ulët, ku e bëjnë vendin tonë të favorshëm për investime. Po ashtu, delegacioni u njoftua për mundësitë e përfitimit nga projektet e ndryshme.

Dy ministrat u pajtuan për thellim të bashkëpunimit dhe shprehën gatishmërinë për organizim të vizitave të përbashkëta ekonomike. /Telegrafi/