LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Agolli

Kosova dhe Agolli

Prof. dr. Shyqri Galica

Poeti më i shquar kombëtar Dritëro Agolli, në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, do të futet në botën komplekse të një pjese të atdheut, e cila tashmë po merrte dimensione të reja në konceptimin jetësor e politik, shqetësime që do t’i parandiente dhe do t’i artikulonte me ndjenjë tepër të veçantë në një spektër karakteristik, duke bërë përpjekje që artistikisht të trajtonte nyjën që ngër¬thente mbi jetën dhe vdekjen si katrahurë e robërisë dhe e përpjekjeve shekullore për liri.


Intrigimi i realitetit jetësor po rëndonte mbi bagazhin artistik të krijuesit, kurse te poeti Agolli do të shpërthente fuqishëm nëpërmjet vargut poetik, i cili me talentin e tij dhe përvojën krijuese do të artikulonte shqetësimet dhe botën delikate të artistit, duke nxjerrë prerje ekzistenciale, të cilat do të reflektohen gjithsesi në filozofinë jetësore dhe vizionare të tij.

Duke ndier në mënyrë të veçantë preokupimet dhe shqetësimet që mbanin mbi supe shqiptarët e viseve të ndryshme, sidomos të Kosovës, Agolli do të shpërthente në mënyrë dinamike me vargun e tij sfidues, me figurat e tij të një peshe të jashtë¬za¬kon¬shme dhe, pa dyshim, me mesazhin artistik aktual, që do të inkurajonte dhe do ta provokonte receptuesin për t’u futur pakthyeshëm në shtegun kërkues të lirisë.

Ishte Kosova dhe viset e tjera nën thundrën e robërisë, që po kërkonin zgjidhje, por sikur po prisnin dhe vargun e fuqishëm të poetit, që ishte bërë një me përpjekjet për lirinë e tyre. Në horizont po shihte shkëndijat e lirisë, po shihte dhe sakrificat e shumta për të, por po hetonte dhe nevojën tjetër të realitetit të krijuar nën robëri. Këtë realitet historik kompleks do ta paraqesë nëpërmjet poezisë së tij, duke aktualizuar segmente që po vetëdijësonin botën shqiptare, trumbeta që do të jehonin me një fuqi liridashëse, madje në qarqe shumë të gjera. Pikërisht në këtë varg poetik do të manifestohej dashuria e madhe për kombin dhe lirinë, një dashuri e kërkuar me aq përkushtim dhe e gjetur me aq invencion, që poezisë së këtij artisti do t’i japë një ton energjik dhe një atmosferë të veçantë, që do ta bënte vargun edhe më të fuqishëm, kurse poetin një sfidues të vërtetë të lirisë…

Kauza kombëtare dhe vizioni poetik

Poet i dimensioneve të gjera, artist i vërtetë i fjalës së shkruar, vizionar i jashtëzakonshëm, kërkues këmbëngulës i lirisë dhe i demokracisë njerëzore, por dhe patriot e luftëtar i pakompromis për ta shpënë tutje kauzën kombëtare, në vargun e tij do të ndihet ajo frymë dinjitoze atdhedashurie, që e ka përshkuar tejetej krijimtarinë e tij poetike.

Gama e larmishme artistike e Agollit, poet i vizioneve, i formave dhe i përmbajtjeve karakteristike, është dëshmi e një njohjeje të thellë të realitetit kombëtar dhe më të gjerë, një figurë e veçantë e botës poetike, ku do ta shtrijë erudicionin artistik në thellësi e në gjerësi me një përkushtim kërkues të mëvetësishëm, që paraqet botën inventive imagjinare dhe provokimin artistik si rrjedhë të ndërtimit poetik të vargut.

Frymën e lirisë, që mungonte në trojet e pushtuara, Agolli po e ndiente si erën e bukës, po e ndiente dhe po e përjetonte si njeri dhe si artist, por mbi të gjitha këtë atmosferë po e konceptonte si shqiptar. Prandaj, individualiteti i tij do të manifestohet publikisht për këtë çështje në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX me një cikël krijimesh poetike, që në mënyrë imediate do të lidheshin me kombin dhe me Kosovën, këtë pjesë të pushtuar të atdheut, që po përjetonte çaste trishtimi e poshtërimi. Kosova te krijimet e shumë poetëve do të jetë një frymëzim i veçantë, që në një mënyrë a tjetër do të sintetizojë përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe integrim, përpjekje të cilat as me luftën e përgjakshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të përkrahësve të demokracisë në botë nuk do të realizohen deri sot.

Në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar do të çintegrohej Jugosllavia, e cila mbante një pjesë të mirë të trojeve shqiptare, kurse Kosova dhe viset e tjera etnike po përjetonin dhunën e terrorin. Por kjo më së miri do të shihej nga fundi i shekullit që lamë për të kuptuar më në fund dhe bota se shtypja dhe gjenocidi po manifestoheshin edhe më hapur mbi shqiptarë. Mbase ishin vetëm disa qarqe të udhëheqjes së asaj kohe që këtë realitet nuk e konceptonin dot, duke vënë në pah pamundësinë dhe paaftësinë për të dalë nga zgjedha e pushtuesit. Duke parë këtë qasje, këtë mjegullnajë që kishte pushtuar prijësit e asaj periudhe dhe realitetin kombëtar, poeti Dritëro Agolli me mllef do të shpërthejë si poet dhe si shqiptar:

Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova,
Unë e çliroja i pari, mua lavdia më ndriste të parit.

(“Fushë-Kosovë”)

duke theksuar më pas se ai do të bënte hatanë sikur: “T’i qeshte Kosovës vetëm nga vjershat liria dhe fati…” Ky preokupim vinte edhe si faktum, edhe si fiksion, por u manifestua edhe si një mesazh në aspektin artistik për të nxjerrë nga letargjia dritëshkurtrit që kishin ngecur dhe nuk po kuptonin drejt rrjedhat historike: “Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova…”?!?

Ky frymëzim i mbledhur nëpër vite do të cysë muzën poetike të Agollit të shtrojë këtë çështje, e cila historikisht po bënte gati një shekull që po priste një qasje të veçantë edhe të krijuesve, edhe të luftëtarëve, sepse sensibilizimi i saj tashmë po kërkohej edhe nga rrethanat e reja që po krijoheshin në Ballkan dhe në botë.

Por: “Të çlirohej vetëm me vjersha Kosova…” – ishte një varg përmbajtësor që po sillte ndër mend madje diçka që pothuajse dihej, por, në të vërtetë, diçka që duhej përsëritur dhe sikur po ndodhte se e tëra po haste në veshë të shurdhër, prandaj kjo kohë po kërkonte sensibilizim të situatave, të rrethanave të reja, të realitetit që po krijohej në vazhdimësi shekullore, e që po kërkonte edhe më përkushtimin dhe veprimin diskret të të gjitha strukturave kombëtare. Duke përjetuar me shpirtin e artistit këtë atmosferë të robërisë e të luftës, Agolli do të zbresë në Kosovë për ta ndier nëpër damarët e tij të kaluarën historike si përkujtim të rezistencës dhe të qëndrueshmërisë së popullit tonë:

O vend i bekuar, copëtuar dy copa,
Me dele tek serbi, me lesh nga Evropa…

(“O vendi im me çudira”)

Kjo gjendje e krijuar gati para një shekulli, Atdheu i copëtuar, kishte arritur në një stad të ri edhe në vetëdijen e popullit shqiptar, kurse përpjekjet e vazhdueshme po intensifikoheshin, sepse po ndryshonte dhe harta gjeografike e botës. Por në këto rrethana po ndryshonte dhe jeta e shqiptarëve të robëruar, ndaj segmente të kësaj jete do të sheshohen edhe në vargun e poetit, sepse “është më lehtë të mësohet të jetohet aty ku njerëzit dinë të vdesin.”

Me një ligjërim inventiv, ndër të tjera, Agolli sjell edhe fatin e pafat të një vashe shqiptare të Kosovës, që do të jetë shtrënguar të gjendej në një kabare, që në fakt dëshmon mjerimin dhe gjendjen e përgjithshme ku ndodhej Kosova:

Kush të solli këtu, të solli siç themi, mjerimi?
Vërtet, me thonjtë e serbit mjerimi të zgjatet si zorrë!
Ah, ç’mrekulli mund të bëje ti atje tek burimi,
T’i çmendje djelmoshat me shtambën në dorë.
Kush të solli këtu, të solli, siç themi, mjerimi?

(“Në kabare para një vajze”)

Kjo gjendje kishte katandisur popullatën e Kosovës, prandaj dhe mobilizimi për ndryshime rrënjësore kërkonte një përkushtim shumë të madh, sepse një pjesë e mirë e rinisë ishte detyruar ta merrte botën në sy, për të siguruar ekzistencën, për të shpëtuar nga burgosja e torturat, por dhe për të shpëtuar kokën. Këtë realitet po e përjetonte dhe poeti ynë që tashmë kishte një informacion edhe më të mirë për rrjedhat e jetës dhe për tërë situatën e krijuar në këto vise të pushtuara:

Kthehem këtu në Kosovë fill prej mërgimit,
Kthehem nga lumi i Rejnit, Senës, Sir-Darjes,
Barin e gjej të tharë nga brymë e trishtimit,
Gurët të plasur nga peshë e lotit të ndarjes.

(“Kthimi në Kosovë”)

Poeti paraqet një realitet të hidhur, të cilin e përjeton si krijues, si artist, por një mesazh poetik që artikulon dhe vizionin artistik, një botë tjetër duke nxjerrë gjithsesi dramat e individit dhe të kombit, prandaj ai nëpërmjet këtij mesazhi tregon se kjo është “udha e shtegtarit misionar në truallin e jetës shqiptare…”

Një çështje tjetër që në të kaluarën sillte konfuzion, krijonte raporte jonormale ndërmjet martesave me të huajt, që tashmë dihen ata që kishin lidhur krushqi të tilla, sidomos me serbet, dhe këto lidhje shfrytëzoheshin për qëllime politike. Këtë realitet poeti ynë e kishte konceptuar në vazhdën e sulmeve politike që mu këta politikanë bënin ndaj kombit të tyre, prandaj Agolli me ironi do të theksojë në njërën nga poezitë e tij:

Por nejse, unë u ndava prej saj,
Se muaj me radhë më çmendi,
Dhe shpesh më kujtohet kur thoshte babai:
“Veç gruan dhe kaun zgjidhe nga vendi!”

(“Gruaja dhe kau”)

Një toponim që do të zërë vend në shumë poezi që kanë temë Kosovën, këtë pjesë të Atdheut, është Kaçaniku, i cili historikisht ka pësuar shumë drama dhe ka treguar gjithnjë një qëndresë të jashtëzakonshme, pothuajse në të gjitha periudhat historike. Pikërisht për këtë poeti ynë gjen rast për ta theksuar rolin e tij historik dhe aktual, si dhe figurat historike që kanë mbetur të përjetshme në historinë e kombit tonë…

Këto krijime poetike të Dritëro Agollit i shquan ndërtimi inventiv, prirja për të artikuluar botën komplekse të këtij dinjitari të poezisë shqipe, me mjete e figura të pasura stilistike, të cilat poetikën e tij e bëjnë më të larmishme e më të veçantë, ndërsa receptuesin e provokojnë të futet në gjirin e kësaj poezie me dashurinë, preokupimin dhe synimin që ka secili njeri për të pasur lirinë e tij vetjake dhe kombëtare. Ky segment i jep konotacione lirikës agolliane për ta shtrirë ndikimin e vet në qarqe letrare e shoqërore demokratike si akt dhe dëshmi e afinitetit të poetit për të ndikuar në proceset kombëtare e shoqërore edhe nëpërmjet artit poetik.

Kosova, kjo pjesë e Atdheut të copëtuar, me siguri do të jetë edhe në të ardhmen preokupim e frymëzim i krijuesve, me gjithë rrethanat e reja të krijuara pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse, siç do të thoshte poeti, “Parajsa nuk e njeh në mes kufinë…” – dhe më pas do të përfundojë:

Kështu, ju them një mençuri të lashtë,
Që gjyshi plak dikur në oxhak e gdhendi:
“Nuk bëhet Shqipëria sot Parajsë
Përderisa Kosova mbetet jashtë”…

(“Parajsa e gjymtuar”)