LAJMI I FUNDIT:

Kosova i çon Serbisë bukë e reçel

Kosova i çon Serbisë bukë e reçel

Prej janarit deri tani qytetarët e Serbisë kanë ngrënë 216 mijë kilogram arra të Kosovës. 530 mijë kilogramë reçel, e 1 milionë kilogram fruta tjera të freskëta. Jo vetëm kaq. Të dhënat e Doganave të Kosovës tregojnë se në Kosovë është gatuar edhe një sasi e konsiderueshme e bukës për qytetarët e shtetit fqinjë.

Edhe pse Kosova ka problem ta sigurojë bukën për nevoja të brendshme, në tabelat e eksportit figuron se në Serbi janë eksportuar 176 mijë kilogramë bukë.


Mund të duket e habitshme, por Kosova në Serbi këtë vit ka dërguar edhe banane. Sipas statistikave, bëhet fjalë për 19 mijë kilogram banane, shkruan Gazeta Fjala.

Produkti tjetër që e dominon eksportin me këtë shtet është linjiti. Për 11 muaj Kosova ka eksportuar në shtetin fqinjë 9 milionë kilogramë linjit në vlerë 306 mijë euro.

Në këtë shtet janë eksportuar edhe 2 milionë euro gypa të çelikut. Pastaj më shumë se gjysmë milionë euro radiatorë për ngrohje.

Madje e veçantë është se gjatë këtij viti Kosova në Serbi e ka eksportuar edhe një vinc për anije në vlerë 1,290 euro.

Produkte si këto dhe shumë tjera në vlera më të vogla e kanë çuar eksportin e Kosovës për Serbi në 38.1 milionë euro, për 11 muajt e parë të këtij viti.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, si asnjëherë më parë, Serbia del të jetë vendi ku Kosova eksporton më së shumti. Kështu, në muajin Tetor 2016, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 15,2 milionë euro, ose 56.3 për qind të eksporteve të përgjithshme.

“Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFT-së janë: Serbia (22.0%), Maqedonia (13.4%), Shqipëria (12.9%), dhe Mali i zi (5.4%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin Tetor 2016, arritën në 67,8 milionë euro, ose (28.1%) të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lart për import ishin: Serbia (14.2%), Maqedonia (6.0%), Shqipëria (4.3%) dhe B&H (3.0%)”, thuhet në raportin e ASK-së.

Megjithatë, vlera e eksportit në krahasim me importin nga Serbia mbetet shumë e vogël. Mesatarisht çdo vit nga ky shtet në Kosovë hyjnë rreth 500 milionë euro produkte.

Megjithatë kosovarët ushqehen nga Serbia

Sipas të dhënave që Gazeta Fjala i ka siguruar nga Dogana e Kosovës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kosovarët kanë blerë nga Serbia hiç më pak se 29 milionë litra ujë të pijes.

Produktet esenciale ushqimore, duke filluar nga pemët, perimet dhe ato të konservuara, janë mallrat më të importuar në Kosovë nga ky shtet.

Në total për gjashtë muaj janë importuar 429 milionë kilogram mallra në vlerë 142 milionë euro. Kështu rreth 34 milionë kilogram grurë janë futur në Kosovë veç për gjashtë muajt e parë të këtij viti, misër afro 21 milionë kilogram si dhe 15 milionë kg të tjerë janë miell.

Të dhënat tregojnë se kosovarët zgjedhin para prodhimeve vendëse të qumështit ato me origjinë nga Serbia.

Përmes pikës kufitare të Merdares është importuar djathë e gjizë në sasinë prej 38 mijë kilogramëve me vlerën e 82 mijë eurove.

Qumësht jo i koncentruar që nuk përmban sheqer shtesë apo ndonjë lëndë tjetër ëmbëltuese shtesë është futur në Kosovë në sasinë prej 1 milion litrave me afro rreth 602 mijë euro.

Kjo tregon se as protestat e qumështarëve para qeverisë së Kosovës të bëra para disa muajve kundër importimit të produkteve të qumështit në vend nuk kanë ndikuar aspak në uljen e sasive të importit të këtij produkti në vend.

Injorohen produktet kosovare

Ndonëse Kosova njihet me prodhimin e produkteve të patates të cilat madje ajo i eksporton në vendet tjera sipas të dhënave nga dogana rreth 200 mijë kilogram patate janë futur në Kosovë vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti me vlerën e rreth 42 mijë e 144 eurove nga Serbia.

Qepë, presh, hudhra, qepë të njoma dhe zarzavate të tjera djegëse, të freskëta apo të ftohta vijnë po ashtu nga Serbia në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe janë importuar 672 mijë e 548 kilogram.

Gjithashtu edhe mollë, dardhë dhe ftonj, të freskëta kanë hyrë në sasinë e rreth 62 mijë kilogramëve, shkruan Gazeta Fjala.

Po ashtu frutat, arra, lajthi, bajame dhe pjesë të tjera të ngrënshme të bimëve, të përgatitura apo të ruajtura ndryshe janë importuar në vend bashkë me karotat, rrepa të kuqe, panxhar kokërr për sallatë, rrepë kanë hyrë në Kosovë në vlerën e rreth 47 mijë eurove.

Brumërat e gatuara apo të mbushur (me mish apo me substanca të tjera) apo të përgatitur ndryshe, të tilla si shpageti, makarona, janë importuar në vend në vlerën e afro 319 mijë eurove. /Gazeta Fjala/Telegrafi/