LAJMI I FUNDIT:

“Korrupsioni po i largon investitorët dhe po e ndalon zhvillimin ekonomik”

“Korrupsioni po i largon investitorët dhe po e ndalon zhvillimin ekonomik”

Instituti Riinvest dhe Komuniteti i Bizneseve sot nënshkruan Kodin e bizneseve kundër korrupsionit, i cili nxit motivimin e subjekteve ekonomike për t’i zbatuar standardet më të mira ndërkombëtare për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.

Në emër të Institutit Riinvest, Muhamet Mustafa tha se nënshkrimi i Kodit ka për qëllim luftimin e korrupsionit në Kosovë, teksa u bëri thirrje bizneseve që ta refuzojnë korrupsionin ose ryshfetin.


Mustafa tha se përmbajtja e këtij Kodi ka buruar nga bizneset, me qëllim të zvogëlimit të  korrupsionit, sepse korrupsioni është armiku më i madh i investimeve.

“Para se të hartohet ky Kod, ne kemi pasur një raport kërkimor, i cili ka dëshmuar se lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë efektive vetëm nëpërmes gjyqësorit apo vullnetit më të madh politik. Të dy këta faktor nuk janë në nivelin e duhur, por për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, është e domosdoshme që shoqëria të krijojë një masë kritike të refuzimit të korrupsionit”, deklaroi Mustafa.

Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jens Erik Grondahl tha se nevojitet përkushtim me standarde për të bërë biznes, sepse besimi në ekonomi është çelës për investime.

“Besimi në ekonominë e Kosovës dhe në sektorin e biznesit është çelës dhe mjaft me potenciale për mundësi të investimeve. Andaj, kjo ngjarje është një shembull i prekshëm dhe konkret. Është thelbësore që sektori privat të përfshihet në luftën kundër korrupsionit, pasi ky sektor siguron rritje ekonomike këtu në Kosovë”, theksoi Grondahl.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se kjo ngjarje shënon një hap simbolik dhe shumë të rëndësishëm në adresimin e një prej sfidave kryesore zhvillimore që ka vendi dhe që është korrupsioni.

“Ajo që është fuqi e jona promovuese, ne duhet me qenë promotor të një ambienti biznesor ku mbizotëron konkurrenca e drejtë dhe ku mbizotëron sundimi i ligjit. Dhe në këtë drejtim ne dëshirojmë gjithë këtu, që të promovojmë edhe trajtimin e etikës në biznes. Trajtimin e fenomeneve negative edhe nga ane  bizneseve”, dekalroi Rukiqi.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, tha se 85 për qind e bizneseve që janë përballë me korrupsion nuk e kanë raportuar, e prej kësaj përqindje 75 për qind për shkak se janë frikësuar nga hakmarrja e mundshme dhe 25 për qind për shkak se nuk besojnë në gjykata.

“Unë besoj se pavarësisht se sa i rëndësishëm është ky akt i nënshkrimit të këtij pakti bashkërisht me asociacionet e biznesit, pa fuqizimin e gjykatave beteja kundër korrupsionit do të jetë gjithmonë e humbur, andaj, besoj që bashkërisht këtu do të flasim me një zë edhe në rritjen e presionit karshi institucioneve përgjegjëse”, pohoi Zeka.

Nënshkruhet Kodi i Bizneseve kundër Korrupsionit
Lexo po ashtu Nënshkruhet Kodi i Bizneseve kundër Korrupsionit

Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermane, tha se korrupsioni po i largon investitorët nga vendi dhe po e ndalon zhvillimin ekonomik të vendit.

“Korrupsioni pa na i largon investitorët e huaj nga Kosova, korrupsioni po e ndalon zhvillimin ekonomik, korrupsioni po e ndalon konkurrencën lojale. E për me zbërthyer akoma më shumë dhe me bërë akoma më të kapshme, korrupsioni i ndalon ilaçet që të arrin te pacientët”, tha ajo.

Edhe Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, deklaroi se korrupsioni është një ndër barrierat për zhvillim ekonomik, teksa shtoi se në Kosovë më shumë është folur për korrupsion sesa që është luftuar.

Panaxha vlerësoi se Qeveria në ardhje në prioritet duhet ta ketë luftën kundër korrupsionit, për të pasur rritje të investimeve dhe krijim të vendeve të reja pune.

“Në të ardhmen në qeverinë e ardhshme, që shpresojmë që do të krijohet shumë më shpejt, prioritet do të jetë luftimi i korrupsionit, por përveç luftimit të korrupsionit duhet të luftohet edhe keqmenaxhimi në qeverisje”, pohoi Panxha.

Ndërsa në fund Alban Hashani, drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest tha se Kodi mundëson krijimin e kushteve të barabarta për mjedisin biznesor, teksa shtoi se si institut mbeten të përkushtuar për vazhdimin e punës në Komitetin drejtues të odave të biznesit të këtij koalicioni kundër korrupsionit prej anës së ofertës dhe aktivitete tjera përcjellëse ku do që duhet në çfarë do kapaciteti qoftë për me i koordinuar bashkëpunimin tonë mes veti, por edhe me i adresuar komentet dhe rekomandimet që kanë dalë prej një raporti i cili i ka paraprirë këtij Kodi.

Ndryshe, Kodi ka për qëllim që t’i ndihmojë bizneset të implementojnë aktivitete të drejta, transparente dhe ligjore. Përmbajtja e Kodit është përgatitur duke u konsultuar me shoqatat e bizneseve, të cilat veprojnë në Kosovë, si dhe duke u konsultuar me bizneset nga të gjitha rajonet e Kosovës. /KP/