LAJMI I FUNDIT:

“Korrupsioni dhe administrata pika të dobëta” – Varhelyi prezantoi raportin për Maqedoninë e Veriut

“Korrupsioni dhe administrata pika të dobëta” – Varhelyi prezantoi raportin për Maqedoninë e Veriut

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, sot pasdite prezantoi raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë para Parlamentit Evropian.

Oliver Varhelyi tha se viti 2022 ishte një vit i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, pasi vendi filloi me procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Ai deklaroi se lufta kundër korrupsionit dhe reformat e administratës publike edhe më tutje janë pika të dobëta ku duhen përpjekje shtesë.


“Maqedonia e Veriut e filloi procesin e negociatave me konferencën e parë politike ndërqeveritare që duhej të ndodhte shumë kohë më parë, ky është një përparim për vendin, Maqedonia e Veriut ka treguar vendosmëri dhe progres të qëndrueshëm”, tha Varhelyi para eurodeputetëve.

Komisioneri Evropian theksoi se është e rëndësishme që vendi të ruajë ritmin e reformave dhe të përdorë procesin e skriningut për të shfrytëzuar potencialin e vet për përshpejtimin e reformave.

Sipas tij, duhen përpjekje shtesë në fushën e administratës publike.

Raporti mirëpret përafrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht në lidhje me Ukrainën.

“Me këtë vendi tregoi vendosmërinë për të ecur në rrugën e tij drejt BE-së”, tha Varhelyi./Telegrafi/