Korrupsion në Maturën Shtetërore, prangosen katër mësues

Policia e Tiranës ka arrestuar sot katër mësues të gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz, nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Arrestimet janë kryer sot nga njësia antikorrupsion në drejtorinë e policisë së Tiranës, ndërsa në pranga kanë përfunduar mësueset Nevila Fiku, Arjana Metalia, Klodjana Koka dhe Fatbardha Mahmutaj, transmeton BalkanWeb.
Sipas të dhënave të bluve të kryeqytetit, këto mësuese kërkonin 200-250 euro për të plotësuar tezën e provimit.
Testi për secilin nga provimet me zgjedhje ishte hartuar me 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje ishin me përgjigje alternative dhe që vlerësohen me nga një pikë secila, dhe 10 pyetje të tjera me zhvillim, të cilat do të vlerësohen në total me 30 pikë.
Pas përfundimit të provimit me zgjedhje edhe Parlamenti Rinor ka denoncuar shkeljet që janë bërë gjatë administrimit të provimit. Ata bënë publike prova që tregonin se gjatë provimit është komunikuar me personat jashtë ambienteve ku kryhej provimi, por edhe është përdorur interneti si një alternativë për zgjidhjen e pyetjeve në tezën e provimit. /Telegrafi/




















































