LAJMI I FUNDIT:

Koronavirusi dhe fëmijët

Koronavirusi dhe fëmijët
Ilustrim

Risku i fëmijëve në raport me Covid-19-shin dhe roli i tyre në transmetimin e virusit ka qenë një nga temat më të debatueshme gjatë gjithë epidemisë.

Fillimisht u mendua se fëmijët nuk preken nga koronavirusi, por mund të luajnë rol në transmetim. Kjo ishte arsyeja se përse u rekomandua mbyllja e shkollave si masë anti-Covid.


Më vonë, shumë studime hodhën poshtë rolin e fëmijëve në transmetim dhe mjaft vende rihapën shkollat. Në vijim, u hodhën dyshime se fëmijët mund të preken madje të zhvillojnë edhe komplikacione si p.sh. Sindroma Kawasaki, ç’ka bënte thirrje për kujdes.

Para disa ditësh, në fytin e fëmijëve të ekspozuar ndaj SARS-CoV-2 u gjetën ngarkesa virale më të larta se edhe tek të rriturit, duke hedhur sërish tezën e rolit që mund të kenë fëmijët në transmetim.

Faktikisht, sëmundshmëria dhe vdekshmëria nga koronavirusi në moshën pediatrike mbetet ende shumë e ulët në raport me të rriturit dhe sidomos të moshuarit. Rëndësia e debatit shkencor ka të bëjë kryesisht me rolin e mundshëm të shkollave në përhapjen e epidemisë së Covid-19.

Ajo që synohet, është vendosja e një balance: nga njëra anë duhet kufizuar përhapja e koronavirusit, por nga ana tjetër nuk duhen penalizuar fëmijët në gjithë botën nga arsimimi dhe edukimi.

Një vit në jetën e një fëmije ka rëndësi të jashtëzakonshme për formimin jo vetëm shkencor, por edhe fizik, mendor dhe social! Të privosh fëmijët qoftë edhe nga një vit shkollor ka pasoja të parikuperueshme për të ardhmen e tyre!

Me afrimin e shtatorit, është koha që Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë të ngrenë një grup ekspertësh të cilët të analizojnë evidencat dhe të marrin vendimin se si do të funksionojnë shkollat gjatë vitit shkollor 2020-21: në kushte normale, online apo me sistem miks.

Ndonëse është shumë vonë për përgatitje të plota dhe gjithëpërfshirëse, të paktën të merren masa për të krijuar një sistem për menaxhimin e mësimit (Learning Management System) që viti i ri shkollor të mos i gjejë mësuesit shqiptarë duke përdorur rrjetet sociale për mësimdhënie.

Shëndeti fizik, mendor dhe social i fëmijëve gjatë pandemisë, si dhe arsimimi i tyre është një nga shqetësimet kryesore të çdo shoqërie të përgjegjshme. Koha për të vepruar është tani!