Tiger Wood, është numri një i botës në golf, ishte prej sportistëve më të paguar dhe respektuar në SHBA dhe në tërë botën. John Terry, një nga mbrojtësit me të mirë në futboll, përfaqësues i Kombëtares së Anglisë, për shkak të prestigjit të mirë që e kishte, dhe respektit për të ia kishin dhënë ta mbante shiritin e kapitenit të skuadrës.

Politikanët e Kosovës, qeveritarët dhe opozitarët, këta nuk kanë shënuar ndonjë arritje të madhe. Përveç që e disa herë e kanë renditur vendin në top-listën e vendeve të korruptuara, pastaj janë të suksesshëm në ndërtim pallatesh, udhëheqje biznesesh dhe tatimimit informal që e hasi në dy emra: “haraç” dhe “reket”. Për pak sa harrova ta tregoj një talent tjetër të tyre. Kanë talent të kryerjes së fakultetit+magjistraturës dhe doktoraturat përnjëherë, atë e bëjnë në Universitet: Tiffany, DeRada, Puro, Te Shoki, n`kafe t`Fadilit, etj.


Ndodh që gjatë këtij turbo-studimi ata të botojnë nga dy e tre libra (meqë nuk lexojnë - i paguajnë të tjerët t’ua shkruajnë) .... libri botëror i rekordeve (Guinness World Records) do të duhet t’i përfillte.

Edhe ne si popull nuk jemi hiç me më pak talent. Me ndihmën e atyre që përmenda më lartë ne e kemi zbuluar dhe do ta regjistrojmë një prodhim tonin që është unik për botën. Ai njihet me emrin “Konvertori i vlerave”. Është aq unik saqë duhet patentuar me shpejtësi së mund të na e marrin popujt e tjerë. Është e mirë se është produkt “Made in Repubic of Kosovo” dhe është prej produkteve të rralla që e mban këtë mbishkrim.

Ja si është funksioni i tij i elaboruar në katër forma. Ju provojeni edhe në të tjera se do t’ju funksionojë për mrekulli.

Hyrje

Nderi i familjes, bashkë me besën, respektin për të vjetrin dhe kujdesin për farefisin, kanë qenë ato që shumica e të huajve, kur i kanë vizituar trojet shqiptare, i kanë theksuar dhe i kanë çmuar shumë. Por çka po ndodh sot? Si i konvertuam të gjitha këto, duke dashur që të jemi evropianë, (të rinj e të vjetër). Ne po orvatemi t’i imitojmë popujt e tjerë, ani pse moto e integrimeve është “United in diversity” - ne nuk duam t’u japim asgjë atyre vetëm të marrim nga ata. Në këtë mënyrë t’u ngjajmë atyre sa më shumë. Nuk do të kishte asgjë të keqe këtu sikur ne të mos i merrnim për vlera e t’i përvetësonim dukuritë negative të tyre e që ata vazhdimisht luftojnë.

1. Vlerat e konvertuara tona fillojnë me lakuriqësi. Nga institucioni më i shenjtë në shoqërinë tonë, që ishte femra, e kemi konvertuar që është kthyer në një vlerë të nëpërkëmbur të shoqërisë. Më tmerruesja është lakuriqësia e fëmijëve vajza, duke qenë në pamundësi për ta udhëhequr veten ato nën përkujdesjen e prindërve, ekspozohen në rrugë dhe në televizione, gati krejt të zhveshura. S`ka një ditë të mos shohësh në televizion fëmijë gjysmëlakuriq tek vallëzojnë dhe këndojnë këngë te të rriturve. Këto një vend ku sundon ligji, janë të ndaluara. Prindërit e tyre dhe udhëheqësit e medieve, duhet të dalin në gjyq me akuzat për pedofili, abuzim me të mitur dhe shfrytëzim të tyre për përfitime materiale.

2. Vlerë tjetër e konvertuar është edhe përdorimi në rritje i fjalëve të ndyta. Sidomos vërehen ato të përkthyera nga gjuha serbe e që janë prej të sharave më të ulëta. Këto të shara përdoren sot nga mësuesit e artistët, nga babai e nëna, nga djali e edhe më e pahijshmja është kur përdorën nga vajzat. Sot ka raste kur në rrugë mund t’i dëgjosh vajzat e mitura tek e kanë fjalorin e një të dehuri 50 vjeçar. E edhe fëmijë që sa kanë filluar të flasin i disponojnë rrethin e gjerë e të ngushtë me të shara e fjalë të ndyta, e spektatorët që janë prindërit dhe gjyshërit e tyre duartrokasin nga kënaqësia.

3. Besa e shqiptarit i takon të së kaluarës. Sot mashtrimet dhe rrenat janë ato që na kategorizojnë. Të ashtuquajturit dallaveraxhi janë shumë të respektuar. Shpesh ndodhë të dëgjosh fraza si kjo: “shumë është i fortë, dallaveraxhi i madh hallall i koftë.”

Dikush më ka treguar se në të kaluarën ke mundur të dalësh në treg, të blesh edhe pse nuk i ke pasur të hollat. Vetëm i tregoje shitësit prej cilit vend je dhe i përmendje një të njohur të përbashkët, pastaj i tregoje datën se kur do të ja dërgosh të hollat dhe çdo gjë rregullohej. Nuk ka ndodhur që burri ta shkel fjalën e dhënë! E sot? Të gjithë ata rrejnë lidhje e palidhje, madje edhe në muhabete koti, duke ta krijuar përshtypjen se po të marrin për të marrë!

4. Vajzat e reja perspektiven e tyre e shohin në shoqërim me liderët e kësaj shoqërie e që fatkeqësisht janë fundërrina e sistemit të vlerave. Qeveritarë, deputetë, profesorë, drejtorë, biznesmenë e artistë duke përdorur nën një besimin e prindërve dhe familjarëve të atyre vajzave, duke keqpërdorur buxhetin dhe resurset tjera të shtetit, abuzojnë me vajzat e tyre. Neveritës është reagimi i qytetarëve tek u rrahin shpatullat, i shkojnë në tubime, flasin për ta në superlativ. Ajo çka po na ndodhë, do lë pasoja të parikuperueshme në sistemin tonë shoqëror.

Fatkeqësisht ne po i humbim vlerat dhe po i konvertojmë ato duke lënë më të mirat autoktone dhe duke e pranuar të këqijat nga jashtë. Pa vlerat tona, ne nuk i duhem Evropës, shoqëritë tjera nuk kanë pse na pranojnë! Pastaj aspak interesant nuk do të ju dukemi atyre nëse ne u tregojmë se sa bukur i imitojmë segmentet e caktuara të shoqërisë së tyre. Ngase asnjë kopje nuk është më e mirë se origjinali, edhe po të jetë kopja prapë mbetet vetëm kopje!

Për të treguar se jemi si ata ne regjistrojmë videospote me muzikën e tyre, mbi ngjyrat e tyre, me stilin e tyre të vjetruar tashmë sepse e kanë përdorur në vitet 80. (reklama Young Eurpeans). Me spektaklet që për ata janë tashmë demode dhe po i çrrënjosin (reality show). Me billbordë me fytyrat e djemve dhe vajzave shqiptare, sy kaltër, flokë prishur, kitara në duar dhe kasetofonë!!!

Epilog

Me tu kuptuar skandali “tradhti bashkëshortore” i Tiger Woodit, publiku u shqetësua, donatorët e lanë dhe presidenti Obama më nuk e takon. Ashtu kur u bë e ditur tradhtia e John Terryit, ndodhi e njëjta ai më nuk ishte i denjë të ishte lider i skuadrës. Ja hoqën edhe shiritin e kapitenit.

Mëkati i sportistëve as nuk krahasohen me ato çka neve po na bëhet! Por faturat jemi duke i paguar vetëm ne. Siç thotë ajo fjala e urtë: ....... e bën hoxha e paguan katundi...e përveç kësaj t`katundit janë edhe bijat, shtëpitë e pasuria.

Terry nga ikona e sportit kombëtar është kthyer në turpin e familjes së tij dhe më shumë përpjekje po mundohet ta përmirësoj imazhin e tij dhe ta shpëtojë martesën. Tiger Wood, shpesh prezantohet në media tek qanë dhe i kërkuar falje familjes së tij, sportit dhe kombit amerikan.

Mos pritni që liderët tanë të na kërkojë falje!

(Autori është student i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës)