LAJMI I FUNDIT:

Kontrollorët e Trafikut Ajror në protestë, do të ofrojnë vetëm shërbime bazike

Kontrollorët e Trafikut Ajror në protestë, do të ofrojnë vetëm shërbime bazike

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror dhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Kontrollit Ajror, në shenjë pakënaqësi me Ligjin e Pagave dhe për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të kontrollorëve të trafikut ajror kanë njoftuar pasagjerët që fluturojnë për dhe nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, nga sot do të ofrojnë vetëm shërbime bazike.

“Shërbimi bazik nënkupton se të gjithë aeroplanëve komercial nuk do t’i ofrohet asnjë shërbim shtesë që do të rezultojë me shkurtimin e kohës së fluturimit (si rezultat çdo fluturim do të vonohet së paku 20 minuta në shkuarje dhe ardhje)”, ka njoftuar kjo sindikatë për media .


Sipas tyre, ky është hapi i parë në shenjë proteste i kontrollorëve deri në realizimin e kërkesës së vetme për largimin nga Ligji i Pagave i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

“Ftojmë Presidentin që të ushtroje kompetencat e veta të përcaktuara në Kushtetutë dhe ta kthejë Ligjin e pagave në rishqyrtim, në mënyrë qe t’ia jap mundësinë Kuvendit të bëjë ndryshimin e kërkuar në ligj. Nëse nuk përmbushën kërkesat tona, do të detyrohemi që nga ofrimi i shërbimit bazik të kalojmë në hapat me radikale, duke mos përjashtuar edhe grevën që do ta mbyllte të vetmen portë ajrore të Kosovës për trafikun komercial”, theksohet në njoftimin e SINKON dhe SHSPKA.

Ndërkaq, zyrtari për Informim në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, Unidon Krasniqi ka thënë se edhe sot fluturimet janë duke u realizuar normalisht.

“Fluturimet nga dhe për në Aeroportin ‘Adem Jashari’ janë duke u realizua si zakonisht, nuk ka ndonjë problem”, tha Krasniqi. /Telegrafi/