Kontratë e re, pagë e rritur dhe klauzolë e madhe largimi - Real Madridi po e blindon Gonzalo Garcian

Bordi i Real Madridit është i vendosur të rinovojë kontratën e sulmuesit të ri Gonzalo Garcia, pas paraqitjeve mbresëlënëse në Kupën e Botës për Klube.
Me katër gola dhe një asistim në gjashtë ndeshje, 21-vjeçari ishte pika më e ndritur për 'Los Blancos', edhe pse ekipi u eliminua në gjysmëfinale nga PSG me rezultatin 4-0.
Paraqitjet e tij kanë bindur klubin se Garcia ka potencial për të qëndruar në ekip për një kohë të gjatë, ndaj është përgatitur një marrëveshje e re që e lidh atë me klubin deri në qershor 2031.
Sipas "OK Diario", kontrata e re do t’i ofrojë një pagë bruto vjetore prej 3 milionë eurosh e njëjtë me atë që kanë marrë dikur Asensio, Nacho, Ceballos dhe Lucas Vazquez kur u bashkuan përfundimisht ekipit të parë.
Gjithashtu, klauzola e lirimit, aktualisht 50 milionë euro, pritet të rritet ndjeshëm për të mbrojtur investimin në talentin e ri.
Lojtari është i gatshëm të zgjasë qëndrimin në Madrid dhe marrëveshja pritet të nënshkruhet së shpejti, me mbështetjen e plotë të stafit drejtues.
Xabi Alonso, i cili do të marrë drejtimin e ekipit sezonin e ardhshëm, planifikon t’i japë Gonzalo Garcias një rol kyç gjatë edicionit 2025-2026. /Telegrafi/






















































