LAJMI I FUNDIT:

Kontrabandë në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut, sekuestrohen veshmbathje

Kontrabandë në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut, sekuestrohen veshmbathje

Njësitet patrulluese të Policisë Kufitare në rajonin e DRK-Lindja kanë ndërhyrë me sukses për të parandaluar një tentativë për kontrabandë mallrash në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, gjatë realizimit të “detyrave dhe aktiviteteve policore” në fshatin Seqishte të Hanit të Elezit të shtunën rreth orës 20:00, patrullat vërejtën “një automjet të dyshuar duke tentuar të kalojë vijën kufitare”.

Drejtuesi i automjetit, një shtetas 40-vjeçar i Maqedonisë së Veriut me inicialet Z.A., u përpoq të largohej, por “shkaktoi një vet aksident me dëme materiale” gjatë tentativës për t’u arratisur në territorin maqedonas.


Automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut u ndalua nga patrullat, të cilat pas kontrollit zbuluan “120 palë këpucë (patika)” dhe “260 palë veshje (duksa dhe trenerka)”, mallra që dyshohet se po kontrabandoheshin drejt Maqedonisë së Veriut përmes rrugëve malore.

Policia ka vepruar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ku, sipas njoftimit, “me urdhër të Prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, ndërsa automjeti dhe mallrat u sekuestruan dhe u transferuan në terminalin doganor për procedura të mëtejme ligjore. /Telegrafi/