LAJMI I FUNDIT:

Kontesha Befort, dallëndyshja e parë e udhëtareve femra në Shqipëri

Kontesha Befort, dallëndyshja e parë e udhëtareve femra në Shqipëri

Zylyftar Hoxha

Udhëtimet e njohura të Lord Bajronit dhe Cam Hobhouse në Shqipëri në fillimet e shekullit të XIX-të, u pasuan më pas me udhëtarë të tjerë, të cilët, jo si Bajroni, me vargje romantike të veprës së tij më të madhe, “Shtegtimet e Çajlld Haroldit”, por me shënime dhe ditarë japin përshtypjet e tyre të udhëtimit për këtë vend nga më të vjetrit dhe më “të çuditshmit”, siç e quajnë ata Shqipërinë. Më pak i vizituar ka qenë veriu i Shqipërisë, të cilin deri atëherë e kishin vizituar vetëm dy anglezë, njëri ishte i biri i Th. S. Hughes-it dhe tjetri Dunn Gardneri, por që nuk kishin botuar shënime udhëtimi. Të gjithë këta udhëtarë kanë qenë meshkuj. Femrat kanë filluar të vijnë në Shqipëri, diçka më vonë, aty nga gjysma e shekullit të 19-të. Dhe një ndër të parat nga këto ka qenë Kontesha angleze Amili Befort (Emily Anne Beaufort), e cila ka hedhur përshtypjet e saj në librin “Brigjet lindore të Adriatikut më 1863” (The Eastern Shores of the Adriatic in 1863), botuar në Londër në vitin 1864.


Libri u nis prej saj dhe u plotësua më pas edhe nga i shoqi, i cili shkroi tre kapitujt e fundit, pasi edhe ky kishte bërë po atë vit një udhëtim të tillë në Shqipëri dhe në disa vende të Ballkanit. Këta tre kapituj i përkasin Shqipërisë së veriut, ku kontesha nuk kishte ardhur dot.

JANINA

Në fillim të majit 1863 Amili mbërriti në Korfuz dhe më 1 qershor, një grup prej tre burrash e tri grash angleze, bashkë me një gjellëbërës dhe dy shërbëtorë u nis për Janinë, të cilin e quan kryeqytetin e Shqipërisë jugore. Në Sarandë nga kështjella e dikurshme veneciane kishin mbetur vetëm disa gërmadha. Në Delvinë bujtën te shtëpia e mydirit, pastaj morën rrugën për Janinë, duke kujtuar vargjet e Bajronit dhe manastirin e Zicës, i cili as nuk mund të krahasohej me bukuritë e rrethinave të Delvinës e të Romanatit.

Janina iu shfaq nga larg si një qytet i bardhë prej mermeri. Aty vizituan kështjellën, varrin e trupit të Ali Pashës dhe rrëzë kodrës së Shën Gjergjit kujtuan Bohemundin, i cili aty më 1082 kishte thyer perandorin Aleks Komneni. Në pazar e tërhoqën qëndismat me ar më të mirat se kudo gjetkë, por qyteti ishte varfëruar aq sa fshatarët tashti shkonin deri në Vlorë për të blerë veshjet. Edhe punimet prej argjendi ishin të cilësisë së mirë, saqë të kujtojnë dyqanet që janë edhe sot në Janinë.

Në ishullin e Janinës gjetën 7 manastire, por pa asnjë murg. Hynë në manastirin e Pandelejmonit dhe u ngjitën te dhoma plot me vrima plumbash në dysheme, ku e vranë Ali Pashën dhe rrëmbyen Vasiliqinë, që ishte në dhomën ngjitur. Ajo ndenji dy vjet në Stamboll, e lejuan të shkonte në Patras dhe atje vdiq në mjerim më 1855.

“Shqiptarët janë një popull i veçantë, jo thjesht një fis, por një komb më vete, shkruan ajo. Me emrin e përgjithshëm shqiptarë ata ndahen: në veri gegët dhe në jug toskët. Shumica e tyre u bënë myslimanë në shek. XV”. Autorja citon fjalët e historianit Finlay (Finlej), se morali i tyre nuk ishte i tillë, saqë të ktheheshin në gjynahqarë më të mëdhenj duke u bërë myslimanë dhe janë më pak fanatikë se turqit po dhe me më pak paragjykime se grekët. Por Emilia i quan fshatarët dembelë e të paditur, ndërsa te qytetarët ka shquar edhe fytyra të çelura inteligjente.

SHKODRA DHE ULQINI

Më 23 qershor grupi zbarkoi në Vlorë dhe të nesërmen prej andej ndali në Durrës sa për një shëtitje. Por qytetin e gjetën një qendër të mjerë, me shumë asqerë turq me pamje të tmerrshme. Të nesërmen arritën në Tivar. Ky ishte një qytet vetëm me 250 shtëpi, me rreth 4000 banorë shqiptarë, nga të cilët dy të tretat myslimanë. Këtu shtrihej vija e ndarjes ndërmjet Turqisë e Austrisë dhe grupi më tej vijoi drejt Dalmacisë. Kreu i katërt i kushtohet Malit të Zi.

Gjatë kthimit për t’u larguar nga Mali i Zi nënkontesha erdhi në Shkodër. E quan se emrin qyteti e ka marrë nga kodra e kështjellës, domethënë është “mbi(sh)kodër” dhe shton: “Nëse kjo prejardhje është e drejtë, atëherë është kureshtare dhe e vlefshme, sepse tregon që shqipja e sotme është në gjendje të interpretojë një emër, i cili daton herët që nga ditët e Republikës së Romës. ”Kjo i kujton një interpretim të historianit gjerman J. Falmerajer, sipas të cilit epiteti për Akilin këmbëshpejtë, në gjuhën e Epirit ishte “aspete”, domethënë “shpejt”.

Qyteti i Shkodrës kishte 4500 shtëpi, por të rrethuara me mure, saqë pothuaj nuk shihje një dritare. Vapa në verë ishte përvëluese, prandaj shumë shkodranë kanë nga një shtëpi fshati në Drisht. Banorët katolikë, rreth 12.000, nuk kishin asnjë kishë, ndërsa ortodoksët e kishin një kishë të vogël e një shkollë. Urën mbi Kir ajo e quan të jashtëzakonshme, “si një merimangë nga njëri breg te tjetri”, të ndërtuar më 1768.

Amili ka përmendur edhe Ulqinin, të banuar tërësisht nga myslimanë shqiptarë, me një flotë mbi 200 anijesh, ndërsa dikur këta detarë piratë ishin tmerri i Italisë dhe i Adriatikut.

Për gjuhën vëren: “Në Shkodër flitet shqipja. Ajo ndryshon prej gjuhës që flitet në jug të Shqipërisë. Në krahinat malore flitet shqipja prej katolikëve dhe serbishtja nga ortodoksët, ndërsa nga myslimanët shumë pak veta e flasin turqishten. Italishtja flitet mjaft nëpër qytete, por aspak nëpër fshatra.”

Qytetarët myslimanë mbanin fustanella ashtu si dhe shqiptarët e jugut. Krimbi i mëndafshit rritej vetëm në Shqipërinë e veriut, ndërsa vëren se në Shqipëri nuk rritej patatja. Nga vapa ajo nuk qe në gjendje gjatë atij qëndrimi të shkurtër në Shkodër të bënte ndonjë vizatim. Pas gjithsej dy javëve ajo u largua përfundimisht nga brigjet lindore të Adriatikut.

SULI

Nga Janina grupi u nis drejt maleve të Sulit, për të cilat ajo ka dhënë një pikturë romantike plot dritë. Shënon veçan majën e Tripës, nga e cila u hodhën suljotet për të mos u kapur robinja; maja tjetër quhej Mali i Vetëtimave dhe në qendër ishte Qafa, maja në të cilën Ali Pasha kishte ndërtuar një kështjellë të madhe.

Suljotët nënkontesha i quan një fis toskësh, “fara”, që u shndërruan në një kastë ushtarake, e cila merrej edhe me grabitje. Më 1792 ishin bërë një farë republike e vogël, që nxirrte 1500 luftëtarë. Autorja ngulmon se suljotët qenë thjesht shqiptarë e jo grekë dhe me ta bashkoheshin çamët ortodoksë. Ali Pasha i shkatërroi me dredhi, me përçarje dhe me sulme herë pas here, ngjarje të cilat ajo i ka dhënë përmbledhtazi sipas Martin-Likut dhe Finlejit. Në Pargë ajo ka parë veshjet më të bukura, me ngjyra të çelëta të gëzuara. Këtë pjesë e përfundon me nëntë këshilla për ata që duan të shkojnë si turistë në viset shqiptare të jugut e ndër këto e shtata kërkon: “Më mirë të keni me vete një shërbëtor që flet shqipen”. Më tej ka shënuar kafshët e gjahut që mund të gjuhen në Vlorë, Sarandë, Butrint etj., një listë kjo ndoshta nga të parat për faunën e Shqipërisë.