LAJMI I FUNDIT:

Konjufca pranon detyrën e re si ministër i Punëve të Jashtme

Konjufca pranon detyrën e re si ministër i Punëve të Jashtme

Ministri i ri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pranuar detyrën ministrore nga tashmë ish-ministri Behgjet Pacolli.

Pas ceremonisë së dorëzim – pranimit të detyrës ministrore, të mbajtur në Sallën e Konferencave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ish-ministri Pacolli dhe ministri Konjufca u prononcuan për media.


Ish-ministri Pacolli tha se ka nderin ta përshëndes mikun e tij, tashmë ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai shprehu besimin e tij se ministri Konjufca do ta kryej punën edhe mirë edhe me përgjegjësi, ndërsa tha se do të vazhdojë të kontribuojë gjithmonë për shtetin e Kosovës.

“Kam punuar me të gjitha kapacitetet e mia, kam bërë aq sa kam mundur dhe sa kam ditur. Asgjë nuk kam kursyer. Këtu i keni të dokumentuara të gjitha ato që kam bërë, bashkë me rekomandimet”, tha Pacolli, transmeton Telegrafi.

Ministri i ri, Konjufca, gjatë fjalës së tij të shkurtër, tha se është i gëzuar që po merr drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe i nderuar që është i mirëseardhur nga paraardhësi i tij, Pacolli dhe stafi i Ministrisë.

Shefi i ri i diplomacisë kosovare tha se akti i dorëzimit me ceremoni është tregues se shteti i Kosovës po maturohet.

“Ndryshimi demokratik i pushtetit ndodh në krejt botën, dhe në këtë kuptim duhet ta përshëndesim një akt të tillë”, tha Konjufca.

Pas përfundimit të ceremonisë së dorëzim-pranimit të detyrës ministrore, Konjufca dhe z.Pacolli, kanë zhvilluar edhe një takim pune së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Drejtorin e Përgjithshëm dhe drejtorët e departamenteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme./Telegrafi/