LAJMI I FUNDIT:

Kongoli: Në vend të demokracisë me D të madhe, ndërtuam një karikaturë në demokraci

Kongoli: Në vend të demokracisë me D të madhe, ndërtuam një karikaturë në demokraci
Fatos Kongoli (Foto: Fahredin Spahija)

Shkrimtari Fatos Kongoli, në Kalanë e Tiranës promovon romanin “Stinë pandemie”. Autori, përmes këtij libri të shkruar gjatë shtatë muajve izolim, u rikthehet ngjarjeve që kanë përjetuar shqiptarët në 30 vite.

“Jam përpjekur të sjell në librin tim indiferencën njerëzore, të paimagjinueshme të realitetit shqiptar. Për këtë kam ndal në dy momente: momentin e prishjes së një lagjeje (buzë lumit). Televizionet kanë pasqyruar ngjarjen, se si në pesë të mëngjesit policia u sul barbarisht, duke i përzënë nga shtëpitë ata banorë gjynahqarë me gaz lotsjellës. Me lëndë helmuese ushtarake. Këtë ngjarje e kam trajtuar me ironi, pasi mendoj se dikush në të ardhmen sipas meje duhet të jap llogari, se ç’u bë me ta. Faktet janë aty të gjitha. Pastaj, është dhe momenti i dytë: kur qytetarët përplasen në Astir me policinë, këtë e kam quajtur blitzkrieg-nazist (lufta rrufe që ishte në themel të ushtrisë hitleriane)”, shpjegon Kongoli.


Përpos ngjarjeve që kanë trondit personazhet e Kongolit, ai ndalet edhe tek dominimi i politikës në kulturë dhe jetën e qytetarëve të thjeshtë, duke ndërtuar jo demokracinë që patën ëndërruar të gjithë në fillmvitet 1990, por një karikaturë të saj.

“Publiku është i etur për kulturë. Kam bindjen, se klasa politike në vendin tonë është shumë e diskredituar. Për rreth 30 vite pas përmbysjes së diktaturës që kishim shpresa të mëdha, në vend të demokracisë me D të madhe që ëndërruam ne u ndërtua një karikaturë në demokraci. Kjo është vepër e politikës. Sot kjo karikaturë ka arritur formën e saj më të shëmtuar. Njerëzit janë të mërzitur dhe se durojnë dot më këtë gjë”, thotë Kongoli.

Fatos Kongoli është autor i 20 librave. Është vlerësuar brenda edhe jashtë vendit, edhe mban titullin “Mjeshtër i madh”.