Komuna e Shtimes kërkon regjistrim obligues në SIMFK për të gjithë përfituesit e subvencioneve

Komuna e Shtimes ka njoftuar se të gjithë qytetarët që përfitojnë subvencione apo mbështetje financiare nga komuna janë të obliguar të regjistrohen në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës SIMFK përmes platformës shtetërore e-Kosova.
Sipas njoftimit, obligimi vlen për të gjithë përfituesit pa përjashtim, përfshirë nënat lehona, bizneset, organizatat joqeveritare dhe kategoritë e tjera që realizojnë pagesa përmes Thesarit të Republikës së Kosovës.
Komuna bën të ditur se Thesari i Republikës së Kosovës ka funksionalizuar plotësisht shërbimin digjital dhe nuk procedon më regjistrime në mënyrë manuale. Si rrjedhojë, regjistrimi dhe aprovimi i përfituesve realizohet vetëm përmes platformës e-Kosova, në shërbimin Regjistrohu si përfitues në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës SIMFK.
Nga Komuna e Shtimes theksohet se pagesa e subvencioneve apo mbështetjes financiare nuk mund të realizohet edhe në rastet kur kërkesa është e aprovuar nga komuna, nëse përfituesi nuk është i regjistruar dhe i aprovuar në SIMFK. Po ashtu, theksohet rëndësia e deklarimit të saktë dhe të përditësuar të të dhënave bankare, pasi ekzekutimi i pagesave varet nga përputhshmëria e tyre.
Mosregjistrimi apo regjistrimi jo i saktë në SIMFK, sipas komunës, mund të shkaktojë vonesa në realizimin e pagesave. Qëllimi i këtij njoftimi është informimi me kohë i përfituesve dhe shmangia e pengesave në procedurat financiare.
Komuna e Shtimes u ka bërë thirrje të gjithë përfituesve që ta përmbushin këtë obligim me kohë dhe me të dhëna të sakta, në mënyrë që pagesat të realizohen pa vonesa. Për më shumë informata dhe udhëzime, qytetarët mund t’i drejtohen platformës zyrtare të Ministrisë së Financave për Thesarin e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/



















































