Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka bërë të ditur se kanë liruar nga taksa komunale bizneset që nuk kanë punuar gjatë pandemisë COVID-19.

Gashi ka thënë se për këtë vendim është konfirmuar ligjshmëria edhe nga ana e Ministrisë së Financave, transmeton Telegrafi.

“Kam kënaqësinë të ju njoftoj se vendimi për lirimin nga taksa komunale për bizneset që nuk kanë punuar gjatë pandemisë Covid-19 për vitin 2020, i inicuar me kërkesën time në Kuvendin Komunal dhe aprovuar nga ana e asamblesë komunale. Është konfirmuar ligjshmëria e tij nga ana e Ministrisë së Financave, në kuadër të këtij vendimi për lirimin nga taksa komunale përfshihen mbi 250 biznese, totali i shumës së parallogaritur është 39.070.00€. Aprovimi i këtij vendimi, dëshmon se tejkalimi i kësaj situate është angazhimi i jonë i përbashkët”, ka shkruar ai në Facebook.

Kreu i Obiliqit tutje ka thënë se kanë hapur shpalljen në subvencionimin e nënave vetushqyese dhe grave në biznes, dhe që shumë shpejt komisionit për vlerësimin e aplikantëve do të bëjnë shpalljen e përfituesve.

“Jam i përkushtuar në përkrahjen e seciles kategori të shoqërisë dhe kjo do të ndodhë në vazhdimësi. Vazhdojmë bashkë”, thotë Gashi./Telegrafi/