Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë një aksion për ripozicionimin e kiosqeve në zonën e sheshit të qytetit, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e veprimtarisë së tyre dhe trajtimin e barabartë të të gjithë operatorëve.

Drejtoria e Inspekcionit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Planifikim dhe Urbanizëm, ka bërë të ditur se aksioni nuk ka pasur për qëllim largimin e kiosqeve nga hapësirat publike, por vendosjen e tyre në lokacione më të përshtatshme dhe funksionale.


“Kiosqet janë ripozicionuar në sheshin ‘Adem Jashari’, konkretisht në hyrje të sheshit të qytetit, një lokacion i përshtatshëm dhe i favorshëm për zhvillimin e veprimtarisë tregtare të operatorëve,” bëri të ditur Komuna.

Aksioni është përcjellë nga Drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, dhe Drejtori për Planifikim dhe Urbanizëm, Ardian Kavaja.

Komuna e Mitrovicës ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj rregullit urban, trajtimit të barabartë për të gjithë dhe përdorimit të drejtë të hapësirave publike, duke synuar krijimin e një ambienti më funksional dhe të organizuar për qytetarët dhe bizneset. /Telegrafi/