Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e Komunës së Malishevës ka shpallur thirrjen publike për subvencionimin e bletarëve në kuadër të mbështetjes me pagesa direkte për vitin 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë bletarët e komunës që plotësojnë kriteret përkatëse kanë të drejtë të aplikojnë për mbështetje financiare në vlerë prej 4 euro për çdo shoqëri bletësh.


Afati për aplikim është i hapur nga 9 qershori deri më 20 qershor 2025, ndërsa për të përfituar nga kjo skemë subvencionimi, aplikuesit duhet të plotësojnë këto kushte:

  • Të kenë së paku 10 shoqëri bletësh;
  • Bletët të jenë të vendosura brenda territorit të Komunës së Malishevës;
  • Aplikuesi të jetë banor i Komunës së Malishevës.

Ky program synon të mbështesë dhe inkurajojë zhvillimin e sektorit të bletarisë në komunë, duke kontribuar në fuqizimin ekonomik të fermerëve lokalë dhe promovimin e prodhimit të mjaltit vendor.

Për më shumë informacion rreth dokumentacionit të nevojshëm dhe mënyrës së aplikimit, bletarët mund t’i drejtohen Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Malishevë.