Komuna e Kamenicës nënshkruan marrëveshje me NPL “Dardana” për shfrytëzimin e vendgjahishtes

Komuna e Kamenicës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ndërmarrjen Publike Lokale “Dardana” për dhënien në shfrytëzim të vendgjahishtes komunale.
Marrëveshja, e cila u nënshkrua nga Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, dhe Kryeshefi Ekzekutiv i NPL “Dardana”, Gazmend Mavriqi, synon fuqizimin e ndërmarrjes publike dhe menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore, përcjell Telegrafi.
Kryetari Rahimaj e vlerësoi këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm për komunën, duke theksuar se do të kontribuojë në organizimin më efikas të aktiviteteve të gjahut dhe promovimin e turizmit natyror.
“Bashkë me Kryeshefin Mavriqi kemi nënshkruar marrëveshjen për dhënien në shfrytëzim të vendgjahishtes. Të gjithë ju të apasionuar pas gjahut, në ditët në vijim, ndërmarrja do t’ju mbajë të informuar”, tha Rahimaj.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, NPL “Dardana” do të ketë përgjegjësinë për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e vendgjahishtes, duke respektuar standardet ligjore dhe praktikat për mbrojtjen e faunës. /Telegrafi/




















































