ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Komuna e Kamenicës ka vazhduar mbështetjen për familjet me foshnja të porsalindura, duke shpërndarë 13 pako "Baby Box" me vlerë të përgjithshme prej 4,452.50 euro.

Sipas njoftimit të komunës, pakot janë ndarë nga nënkryetarja e Komunës, Arta Bajralija, në kuadër të programit të mbështetjes për familjet dhe të porsalindurit.


Komuna bëri të ditur se secila pako përmban produkte cilësore dhe të nevojshme për nënën dhe foshnjën, të mjaftueshme për përdorim deri në moshën njëvjeçare të fëmijës.

Gjatë ceremonisë së shpërndarjes, Bajralija uroi familjet për lindjen e 13 foshnjeve të të dy gjinive, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale në këtë periudhë.

"Komuna mbetet e përkushtuar në mbështetjen e familjeve dhe mirëqenien e fëmijëve, duke vazhduar iniciativa që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve", ka deklaruar nënkryetarja Bajralija.

Sipas Komunës së Kamenicës, iniciativa "Baby Box" synon të lehtësojë kujdesin për foshnjat në vitin e parë të jetës dhe të ofrojë mbështetje konkrete për familjet në fazat e para pas lindjes së fëmijës. /Telegrafi/