Komuna e Gjilanit, përmes Zyrës së Tatimit në Pronë në kuadër të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ka njoftuar qytetarët për afatet dhe mënyrat e pagesës së tatimit në pronë për vitin 2025.

Bazuar në njoftimin e lëshuar, bëhet e ditur se pagesa e tatimit në pronë për personat fizik rezidentë (që kanë numër personal të Republikës së Kosovës), mund të bëhet në dy këste të barabarta dhe atë. Ndërsa, për personat fizik jo-rezidentë, tatimi në pronë mund të paguhet në një këst të vetëm, më së largu në datën 30 shtator 2025.


“Kësti i parë mund të paguhet deri me 30 Prill 2025  dhe  kësti i dytë mund të paguhet deri me 30 Shtator 2025”, thuhet në njoftim.

Faturat e tatimit mund të nxirren përmes platformës digjitale e-Kosova apo fizikisht në zyrat e Komunës, derisa pagesa mund të realizohet në të gjitha bankat e licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës, përmes e-bankingut, Postës së Kosovës dhe institucioneve tjera financiare të licencuara.

“Gjithashtu rikujtojmë të gjithë tatimpaguesit që nuk e kanë bërë pagesën e tatimit në pronë, që pagesën ta bëni me kohë, që të shmangni llogaritjen e interesit dhe gjobës”, thuhet në njoftim.

Komuna njëkohësisht paralajmëron se për pagesat e vonuara do të aplikohen penalitete – 10% gjobë dhe 0.65% interes mujor për çdo këst të papaguar. /Telegrafi/