Kompletohet ekzekutivi i Komunës së Gjilanit

Ekzekutivi i Gjilan është kompletuar me emërimin e drejtorit të ri të Arsimit, në mbledhjen e radhës të Bordit të Drejtorëve të Komunës, derisa LVV do të jetë në koalicion me AAK-në dhe Bashkimin për Ndryshim Anamorava.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, njoftoi se Jeton Rexhepi i është bashkuar kabinetit qeverisës në krye të Drejtorisë së Arsimit, me synimin për avancimin e cilësisë dhe shtyrjen përpara të reformave në këtë sektor.
“Na presin shumë projekte dhe punë konkrete në shërbim të nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë komunës tonë”, ka deklaruar Hyseni.
Me këtë emërim, përmbyllet përbërja e kabinetit, pasi në fund të muajit shkurt ishin prezantuar edhe drejtorët e tjerë komunalë në mbledhjen e parë të bordit.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesë e kabinetit qeverisës janë: Kushtrim Ibrahimi, drejtor i Shërbimeve Publike; Bajram Isufi, drejtor për Bujqësi dhe Pylltari; Flakron Rexhepi, drejtor për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit; Mimoza Kadriu, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale; Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport; Enver Shabani, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim; Eljesa Rashiti, drejtoreshë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë; Avdyl Kastrati, drejtor për Buxhet dhe Financa; Haki Huruglica, drejtor për Zhvillim Ekonomik; Isa Agushi, drejtor për Inspeksion; si dhe Elbasan Shabani, drejtor për Administratë të Përgjithshme.
Në prezantimin e kabinetit, kryetari Hyseni kishte theksuar se përbërja e re do të jetë e përkushtuar dhe transparente gjatë mandatit katërvjeçar në drejtimin e komunës. /Telegrafi/




















































