LAJMI I FUNDIT:

Kompensimi i dëmit nga autopërgjegjësia

Kompensimi i dëmit nga autopërgjegjësia

Ne jetojmë në një botë në ndryshim në të cilën edhe sfidat e njerëzimit vijnë duke ndryshuar siç po përballemi tash e sa muaj me pandeminë COVID-19, mirëpo siguria publike në përgjithësi dhe ajo rrugore në veçanti vazhdojnë të mbetet ndër problemet kryesore për shoqërinë tonë

Shkruan: Ardita Morina
Avokate


Statistikat e aksidenteve në Republikën e Kosovë dhe numri i madh i qytetarëve që kanë humbur jetën në aksidente, është shumë shqetësues për një vend si Republika e Kosovës, e cila rrjetin rrugor e ka në përmirësim të vazhdueshëm me standardet ndërkombëtare. Shqetësuese është numri i madh i personave të lënduar lehtë dhe të lënduar rëndë si dhe personave me fatalitet (vdekje).

Përdorues të rrugës në ditët e sotme nuk janë vetëm automjetet, por kemi një përzierje të tyre: këmbësorët, çiklistët, automjetet e udhëtarëve, autobusët e deri tek automjetet e rënda transportuese. Kjo laramani e përdoruesve ka krijuar një pabarazi të cenueshmërisë ndaj njeri- tjetrit, duke rritur pasojat te këmbësorët dhe çiklistët.

Institucionet e Republikës së Kosovës, duhet të merren me këtë çështje më seriozisht, duke ditur se numri i të vdekurve në aksidentet rrugore është më i lart, në raport me vrasjet tjera që ndodhen, si p.sh. vrasjet me armë.

Prandaj të gjitha vendet e zhvilluara janë duke i orientuar resurset në krijimin e kushteve të lëvizjes me përfitim në shumë aspekte, sidomos, në aspektin e sigurisë, shëndetit dhe ambientit. Këto tre kushte po shqyrtohen në kuadër të mobilitetit urban. Pa dyshim se faktorë shumë me rëndësi për zhvillimin ekonomik të një vendi është edhe kostoja e dëmeve apo kompensimi materiale që bëhet pas ndodhjes së aksidenteve rrugore.

Edhe pse siguria në komunikacion është e detyrueshme, ekzistojnë rrethana të shumta të cilat mund të çojnë deri te ngjarjet e padëshirueshme, mirëpo njëherësh edhe deri te ato të pakëndshme.

Pikërisht për këtë, më e rëndësishme është që bashkë me dokumentet themelore të shoferit, me vete gjithmonë të keni policën e sigurimit nga autopërgjegjësia.

Sigurimi nga autopërgjegjësia është obligim ligjor i sigurimit i cili lidhet me rastin e regjistrimit të mjeteve motorike. Qëllimi është mbrojtja në rast të dëmit të bërë personit të tretë, kështu që shpenzimet të cilat do t’i paguante i siguruari, i paguan Sigurimi i përgjithshëm.

Më parë duhet theksuar që dëmi mund të jetë material dhe atëherë paraqitet në pronën e të dëmtuarit, por mund të ndodhë edhe si jomaterial, ku manifestohet në formë të lëndimeve trupore, dhembjeve fizike dhe shpirtërore dhe vuajtjeve, dëmtimit, zvogëlimit të aktiviteteve jetësore, por mund të shoqërohet edhe me frikë dhe stres intensiv apo afatgjatë.

Gjithashtu, dëmi jomaterial ekziston gjithashtu për shkak të cenimit të reputacionit, nderit ose shkeljes së të drejtave të personit, siç është përfitimi i humbur, etj.

Gjithashtu, është dukuri e shpeshtë që të dëmtuarve, të cilët nuk njohin të drejtën për masën e mjaftueshme mund t’u duket madje edhe që përgjegjësi personale nuk ka, dhe në atë mënyrë mbeten pa u zhdëmtuar.

Të gjitha automjetet në Republikën e Kosovës duhet të jenë të pajisura përveç patent shoferit, por edhe me policën e sigurimit, raportin evropian të aksidentit si dhe librezën e regjistrimit të automjetit.

Polisa e sigurimit është kontrata e sigurimit të autopërgjegjësisë, respektivisht certifikata e sigurimit të nënshkruar nga siguruesi dhe i siguruari më të cilën provohet kontraktimi i sigurimit të autopërgjegjësisë dhe mbulon në rast aksidentit, Kompania e sigurimit, e cila është përgjegjëse për dëmet e ndodhura gjatë aksidentit dhe kompensimin e dëmshpërblimit.

Siguruesi është Kompania e Sigurimit të licencuar nga BQK-ja për të zhvilluar aktivitete të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë.

I siguruari është personi, interesi pasuror i të cilit është siguruar në rast përgjegjësie nga posedimi dhe përdorimi i mjetit motorik.

Raporti Evropian i aksidentit përdoret nga dy automjetet e aksidentuara në rastet kur nuk ka lëndime, por vetëm dëme në automjete, plotësohet dhe nënshkruhet nga te dy pjesëmarrësit e aksidentit (nuk ka nevojë të jetë prezent policia e trafikut në rastin e ngjarjes së aksidentit) dhe dorëzohet në Kompanitë e Sigurimeve.

Shkaqet e aksidentit në Republikën e Kosovës janë:

▪ Shpejtësia
▪ Mos vendosja e rripave të sigurisë, mos vendosja e ulëseve për fëmijë,
▪ Përdorimi i alkoolit, drogës dhe medikamentet me efekt anësor për shpërqendrim,
▪ Mosrespektimi i distancës së automjeteve,
▪ Përdorimi i telefonit mobil.
▪ Mos mbajtja e dritave të ndezura gjatë ditës dhe dritat në dukshmëri më të lartë në rast nevoje.

Të gjithë këto shkaqe vijnë deri te rritja e lartë e aksidenteve të cilat përfundojnë me persona në fatalitet ( vdekje) apo me lëndimet të leha dhe të rënda të pjesëmarrësve në aksident.

Shpërblimi për dëmin e shkaktuar nga mjeti motorik, realizohet në mbështetje të titujve konkret juridikë, kontratës së sigurimit, kartonit të gjelbër, certifikatës së sigurimit kufitar si dhe Ligjit për Sigurim të Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia. Te autopërgjegjësia ekziston mbulimi i detyrimit për shpërblim të dëmit mbi bazën e rregullave të së drejtës së sigurimeve. Sektori i sigurimeve (Kompanitë) kompenson dëmin e shkaktuar personave të tretë me përdorimin e mjetit motorik në rast se paraqitet rasti i sigurimit, përkatësisht nëse ekziston përgjegjësia e të siguruarit apo shfrytëzuesit tjetër të mjetit motorik. Në këtë drejtim, legjislacionet nacionale kanë siguruar mekanizëm mbrojtës për personat që i shkaktohet dëm në jetën, tërësinë trupore dhe pasurinë e tij në rast të aksidentit.

Me sigurimin nga dëmi nënkuptohet marrëdhënia juridike midis siguruesit dhe të siguruarit e krijuar në bazë të kontratës ose të ligjit, ku siguruesi obligohet që t’ia paguajë shumën e siguruar të siguruarit, po që se ndodhë rasti i siguruar, ndërsa i siguruari obligohet që siguruesit t’ia paguajë preminë e sigurimit në momentin e krijimit të marrëdhënies midis tyre.

Me Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia rregullohet lëmia e sigurimit nga autopërgjegjësia për dëmet që u janë shkaktuar palëve të treta dhe që me këtë ligj përcaktohet si sigurim i detyrueshëm. Subjekt i sigurimit është pronari i mjetit motorik, i cili para përdorimit të tij duhet të kontraktoj sigurimin për mbulimin e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara palëve të treta në rast vdekje, lëndimeve trupore, dëmtimit të shëndetit apo dëmtimit në pasuri.

Kontrata e sigurimit të autopërgjegjësisë mbulon dëmet edhe ndaj pasagjerëve, duke përfshirë këtu edhe dëmet në gjësende që gjenden në mjetin motorik dhe shërbejnë për përdorim personal. Sipas Ligjit si dëshmi për sigurimin e detyrueshëm lëshohet Polica e sigurimit të autopërgjegjësisë, e cila mund të kontraktohet vetëm nga siguruesi të licencuar nga BQK-ia, është unike për tërë territorin e Republikës së Kosovës. Polica e sigurimit është në fuqi duke filluar saktësisht nga data, ora e lëshimit të policës dhe nënshkrimit të kontratës në mes të siguruesit dhe poseduesit të policës.

Në rastet kur ndryshon pronësia e mjetit motorik gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë, që rrjedhin nga kontrata e sigurimit, i kalojnë pronarit të ri dhe vlejnë deri në afatin e përfundimit të kontratës së sigurimit. Drejtuesi i mjetit motorik është i detyruar të mbajë me vete policën e sigurimit ose provë tjetër me të cilën provohet kontraktimi i sigurimit të autopërgjegjësisë, si dhe ta paraqesë atë sa herë që i kërkohet nga personi zyrtar. Poashtu, në rast aksidenti, drejtuesi është i detyruar të japë të dhënat personale dhe të dhënat që lidhen me sigurimin të autopërgjegjësisë të gjithë personave të përfshirë në aksident, të cilëve mund t’u lindë e drejta për dëmshpërblim nga baza e këtij sigurimi.

Sipas ligjit, sigurimi nga autopërgjegjësia mbulon: Dëmet në persona dhe pasuri të shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i mjetit motorik, dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjetit motorik, përfshirë gjithashtu dëmin e shkaktuar palëve të treta përmes gjësendeve të cilat bien nga mjetet motorike apo çdo gjë tjetër që është i lidhur me mjetin motorik dhe dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjetit motorik palëve të treta nga drejtuesi i paautorizuar i mjetit motorik.

Sigurimi nuk mbulon dëmet në sende të cilat transportohen, përveç nëse ato shërbejnë për përdorim personal të pasagjerëve. E drejta për kompensim të dëmit material dhe jomaterial bëhet në pajtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.

Me sigurimin e auto-përgjegjësisë nuk kanë mbulesë siguruese dhe nuk kanë të drejtën e dëmshpërblimit: drejtuesi i mjetit motorik i cili është përgjegjës për aksidentin, pronari, bashkëpronari dhe çdo shfrytëzues tjetër i mjetit motorik, me të cilin është shkaktuar aksidenti, për dëmet në sende, bashkudhëtari që me vullnetin e vet ndodhet në mjetin motorik me përdorimin e të cilit është shkaktuar dëmi, kur provohet nga siguruesi se bashkudhëtari ishte në dijeni se automjeti ishte i vjedhur apo i grabitur, bashkudhëtari që ndodhet me vullnetin e vet në një mjet të pasiguruar me të cilin është shkaktuar aksidenti, kur provohet se bashkudhëtari ishte në dijeni të kësaj rrethane, personi i dëmtuar për shkak të përdorimit të mjetit motorik në manifestime sportive në rrugë apo pjesë rrugësh të palejuara për shfrytëzim drejtuesve tjerë, për qellim të arritjes së shpejtësive maksimale apo për t’u stërvitur për gara, veprimit të energjisë bërthamore gjatë transportit të materialeve radioaktive, operacioneve apo manovrave ushtarake, revoltave apo akteve terroriste, nëse provohet se dëmi është në lidhje kauzale me ngjarje të tilla, veprimit të fuqisë madhore si dhe rastet tjera të përjashtimit me ligj të përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar me mjetin motorik.

Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, detyrimi i siguruesit nga kontrata e sigurimit të autopërgjegjësisë është i kufizuar me shumën e detyrueshme të sigurimit e vlefshme sipas ligjit, në ditën e aksidentit, përveç kur është kontraktuar një shumë më e lartë e sigurimit. Shuma e detyrueshme minimale e sigurimit për kontraktimin e sigurimit të autopërgjegjësisë është për dëme në persona, për rast të siguruar, pavarësisht nga numri i personave të dëmtuar një milion (1.000.000) Euro, për dëme në pasuri, për rast të siguruar, pavarësisht nga numri i personave të dëmtuar dyqind mijë (200.000) Euro, për dëme të shkaktuara nga përdorimi i autobusit dhe mjeteve motorike të destinuara për transportin e lëndëve të rrezikshme, zbatohet dyfishi i shumave minimale të sigurimit. Në ras se ka disa palë të dëmtuara nga një ngjarje dhe vlera totale e dëmit e tejkalon shumën e sigurimit, të drejtat e palëve të dëmtuara ndaj siguruesit zvogëlohen në mënyrë përpjesëtimore.

Sa i përket shtrirjes territorialet e sigurimit, bazuar në këtë ligj, kontrata për sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë, mbulon dëmet e shkaktuara në Republikën e Kosovës. Sigurimi nga autopërgjegjësia, përpos dëmeve të shkaktuara në Republikën e Kosovës, mbulon edhe dëmet në territoret e shteteve anëtare të sistemit të kartonit të gjelbër, nëse nuk është kontraktuar ndryshe. Për mjetin motorik të regjistruara jashtë Kosovës dhe i cili hynë në territorin e Republikës së Kosovës duhet të jetë i pajisur me kartën e gjelbër të vlefshme për territorin e Republikës të Kosovës apo dokument tjetër të vlefshëm sigurimi që garanton mbulesë sigurimi të auto-përgjegjësisë.

Byroja Kosovare e Sigurimeve është e autorizuar për njohjen e vlefshmërisë së dokumenteve ndërkombëtare të sigurimit, e cila lidhur me këtë e njofton paraprakisht autoritetet përgjegjëse për kontrollin kufitar. Poashtu, Byroja është kompetente për organizimin dhe zbatimin e sistemit të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë. Ligji për sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë rregullon edhe dëmshpërblimin nga përdorimi i mjetit motorik të pasiguruar. Personi i dëmtuar të cilit i është shkaktuar dëmi brenda territorit të Republikës së Kosovës nga një mjet motorik, pronari i të cilit nuk është i mbuluar nga sigurimi i autopërgjegjësisë, ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblimin e dëmit nga Byroja Kosovare e Sigurimit.

Në rastet kur dëmi është shkaktuar nga mjeti motorik Byroja mund t’ia delegojë trajtimin dhe pagesën e këtyre dëmeve njërit prej anëtarëve të vet ose një strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja, e cila është e detyruar të trajtojë dhe të paguajë dëmin me shpenzimet e fondit të kompensimit. Poashtu, Byroja ka të drejtë regresi për këto dëme nga personi përgjegjës dhe atë për shumën e paguar, shpenzimet dhe kamatën.

Në rast aksidenti, pjesëmarrësit e përfshirë në një aksident trafiku, përveç raportit të aksidentit të hartuar nga policia e trafikut , duhet të plotësojnë, nënshkruajnë dhe shkëmbejnë formularin e “Raportit evropian të aksidentit”. Ky formular i plotësuar dhe i nënshkruar shërben si dëshmi për aksidentin me rastin e parashtrimit të kërkesës për dëmshpërblim si dhe për raportimin e rastit nga i siguruari.

Siguruesi është i detyruar që me rastin e kontraktimit të sigurimit të autopërgjegjësisë, së bashku me policën e sigurimit, t’i dorëzojë të siguruarit edhe formularin e “Raportit evropian të aksidentit ”. Gjithashtu, edhe drejtuesi i mjetit motorik është i detyruar të mbajë me vete formularin dhe ta këmbejë me pjesëmarrësin tjetër në aksident.

Organet e autorizuara për mbikëqyrjen e trafikut, organet gjyqësore dhe organet apo institucionet tjera, që zbatojnë procedura pas një aksidenti të trafikut ose kanë në dispozicion të tyre të dhëna për aksidentin dhe të aksidentuarit, janë të detyruara të veprojnë sipas kërkesave të Kompanive të sigurimit dhe Byrosë, përkitazi me dërgimin e të dhënave dhe dokumentacionin përkatës për aksidentin e trafikut dhe të aksidentuarit, të nevojshme për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim.

Kompensimi i dëmeve nga auto-përgjegjësia është rregulluar me Ligjin nga Autopërgjegjësia, Rregulloren mbi Procedurat e trajtimit të kërkesave për Kompensimin e dëmeve nga sigurimi i detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ku përmes kësaj rregullore përcaktohen procedurat për pranimin, regjistrimin, trajtimin, pagesën për dëmshpërblim që rrjedhin nga sigurimi i detyrueshëm nga autopërgjegjësia.

Rregullorja ka synim kryesor Trajtimin e dëmeve nga sigurimi i autopërgjegjësisë që bëhet nga Siguruesi, i siguruari i të cilit është shkaktar i dëmit. Kërkesën për kompensimin duhet dorëzuar tek personi i autorizuar nga Siguruesi dhe me rastin e pranimit të kërkesës për kompensim dëmi, personi i autorizuar ka për detyrë që të verifikojë vlefshmërinë e mbulesës siguruese. Kërkesa për kompensim bëhet në formë të shkruar nga i dëmtuari personalisht, përmes përfaqësuesit ligjor apo nga i autorizuari i tij.

Nëse kërkesa e parashtruar nuk është e kompletuar me prova dhe dokumentacion të nevojshëm për të vendosur për kompensimin, siguruesi është i detyruar që brenda afatit ligjor (3 ditë) të kërkojë kompletimin e saj. Kërkesa për kompensim dëmi duhet të paraqitet në zyrën qendrore apo në degët e Siguruesit në njërën nga mënyrat si: drejtpërdrejtë, me postë, me postë elektronike (e-mail) apo me faks. Kërkesa për kompensimin e dëmit bëhet me plotësimin e formularit unik: “Paraqitja e kërkesës për kompensimin e dëmit nga sigurimi i autopërgjegjësisë”.

Rregullorja përcakton Trajtimin e kërkesave për kompensim dhe afatet e trajtimit dhe pagesës së dëmit Kompensimin e mjeteve motorike, Kompensimin e dëmit material në rast vdekje, lëndimeve trupore dhe rrezikimit të shëndetit dhe Kompensimin e dëmit jo material. Dispozitat e kësaj rregulloreje aplikohen edhe nga Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe për dëmet që janë detyrime të Fondit të Kompensimit.

Dëmet nga autopergjegjësia janë: Dëmet materiale dhe dëmet jomateriale

Dëmi material (dëmi financiar) ka si pasojë cenimin e pasurisë së të dëmtuarit në kuptimin e ngushtë ekonomik, pra humbjen ose pakësimin e pasurisë nga aksidenti i ndodhur.

Dëmi material nënkupton humbjen e pësuar nga zvogëlimi i pasurisë, si dhe fitimin e munguar si pasojë e aksidentit. Në rastin e parë objekt i dëmit është pakësimi, humbja e një interesi pasuror aktual, pra e një pasurie që i përket të dëmtuarit në çastin e shkaktimit të dëmit. Në rastin e fitimit të munguar kemi të bëjmë me pamundësinë e përfitimit të një interesi pasuror të ardhshëm, pra të një pasurie që ende nuk i përket të dëmtuarit në çastin e shkaktimit të dëmit.

Format e dëmit material, mbi bazën e të cilave jepet kompensimi janë:

Mbajtja e humbur e anëtarëve të familjes, në rastet e vdekjes së bashkëfamiljarit (renta) ,dhe humbja e fitimit për shkak të paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme për punë të lënduarit,fitimi i munguar për shkak paaftësisë së përkohshme për punë,shpenzimet e mjekimit dhe të rehabilitimit, shpenzimet për kujdesin dhe ndihmën e huaj nga personi i tretë, dëmtimi i sendeve që përdoren për nevoja personale, rrobat si dhe shpenzimet e varrimit dhe ngritjes së përmendores.

Dëmi jomaterial dhe format e tij, për të cilat mund të kërkohet dëmshpërblim, janë:

Dhimbjet shpirtërore për shkak të zvogëlimit të aktivitetit jetësorë, dhimbjet fizike për shkak të lëndimeve trupore të pësuara, frika për shkak të lëndimeve të pësuara nga aksidenti për pasojat e mundshme ose për vdekjen, si dhe frika e intensitetit të lartë e përjetuar ose që do të përjetohet si rrjedhojë e aksidentit, dhimbjet shpirtërore për shkak të shëmtimit, dhimbjet shpirtërore për shkak të vdekjes së personit të afërt (fëmijës, prindërit, bashkëshortit), dhimbjet shpirtërore për shkak të vdekjes së vëllezërve dhe motrave në rast se mes tyre dhe personit të vdekur në momentin e ndodhjes së aksidentit ka ekzistuar bashkëjetesa e vazhdueshme, dhimbjet shpirtërore për shkak zvogëlimit të aftësisë jetësore të rëndë të personit të afërm (bashkëshortit, prindit, fëmijëve).

Pas trajtimit të kërkesës së paraqitur nga personat e dëmtuar apo nga përfaqësuesit ligjor Kompanitë trajtojnë kërkesën dhe vlerësojnë shumën e tyre ku po qe se palët janë të pakënaqura me ofertën, atëherë obligohen që të vazhdojnë procedurën përmes Gjykatave. /Telegrafi/

Në trend Stil

Më shumë
Zbulohen qytetet me erën më të mirë në Evropë. I pari është ndër më të vjetrit në botë

Zbulohen qytetet me erën më të mirë në Evropë. I pari është ndër më të vjetrit në botë

Çfarë të vizitosh
Si të bësh para: Ç'ju mësuan prindërit e pasur fëmijëve të tyre?

Si të bësh para: Ç'ju mësuan prindërit e pasur fëmijëve të tyre?

Lifestyle
Test psikologjik i Frojdit që ta njihni më mirë veten: Zbuloni brendinë e shpirtit tuaj!

Test psikologjik i Frojdit që ta njihni më mirë veten: Zbuloni brendinë e shpirtit tuaj!

Këshillë javore
Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

A e dini se...
Udhërrëfyes për seks oral: Çfarë duan femrat në të vërtetë

Udhërrëfyes për seks oral: Çfarë duan femrat në të vërtetë

Intimitet dhe Pasion
Rregullat e karmës që do t’jua ndryshojnë perspektivën për jetën

Rregullat e karmës që do t’jua ndryshojnë perspektivën për jetën

Këshilla Lifestyle
Kalo në kategori